Mentor Beqa  

Reforma në sistemin e drejtësisë tashmë ka dalë nga retorika boshe dhe ka filluar të konkretizohet me debatimin e një projekt-ligji, por për fat të keq ka marrë një kahje në drejtimin e kundërt të asaj që pritej. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka kërkuar që edhe intrumenti i vetëm i kontrollit të gjyqësorit nga ana e ekzekutivit të shkrihet dhe një intitucion i tillë të faktorizohet edhe më tej brenda KLD-së. Aktualisht ekzistojnë dy inspektoriate të tilla në KLD dhe në Ministrinë e Drejtësisë, që kanë shkuar shpesh herë edhe në përplasje kompetencash, por zgjidhja që ofron KLD për të shkrirë inspektoriatin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjitha këto kompetenca t’i delegohen  institucionit që ekziston brenda KLD-së, është një propozim që çon në të kundërt zhvillimin e një sistemi të pavarur gjyqësor.Së pari, nëse një propozim i tillë do të miratohej dhe pranohej gjerësisht atëherë parimi bazë i harmonizimit të pushteteve “check and balance” do të merrte në goditje serioze. Pushtetet burojnë nga sovraniteti që ushtron parlamenti i mandatuar nga vota e qytetarëve. Ekzekutivi buron drejtëpërsëdrejti nga parlamenti dhe si rrjedhojë nga vota e qytetarëve. Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë është e vetmja hallkë lidhëse mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, si rrjedhojë mes qytetarit dhe gjyqësorit. Ndërprerja e këtij komunikimi e bën parimin “check and balance” thjesht formal, por jo të aplikuar konkretisht. Demokracia politike funksionon mbi bazën e vendosjes së sovranitetit të popullit në themel dhe ruajtjes me fanatizëm të ndërvarësisë së pushteteve. Ndërtimi i një pushteti gjyqësor të izoluar nga pushtetet e tjera do ta shdërronte atë në një oaz të palëvizshëm, i cili me kalimin e kohës dihet fort mirë se në çfarë shndërrohet. KLD, nëse e ka seriozisht vullnetin dhe dëshirën për të realizuar një reformë në sistemin e drejtësisë, duhet të ketë një vizion të qartë dhe të mos udhëhiqet nga interesat afatshkurtra për të fuqizuar një individ apo një institucion të caktuar, qoftë ky Këshilli i Lartë i Drejtësisë apo Presidenti i Republikës.     Së dyti,  Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë sot është e vetmja mundësi kontrolli nga ana e qytetarëve shqiptarë mbi pushtetin gjyqësorë. Shkëputja e kësaj hallke që lidh në mënyrë të tërthortë qytetarin me pushtetin gjyqësor do ta bënte këtë të fundit të pakomunikueshëm me qytetarin, nga i cili burojnë pushtetet. Ekzekutivi e ka të domosdoshëm një instrument kontrolli mbi gjyqësorin, pasi është ai që gjykohet nga qytetarët edhe për veprimet apo mosveprimet e gjyqësorit. Nëse qytetarët votojnë qeverinë edhe për çështje që kanë të bëjnë me garancitë që ofron gjyqësori për liritë dhe të drejtat e tij, për cështje që kanë të bëjnë me sigurinë apo rendin publik, me ndëshkimin apo mos ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, me zgjidhjen e drejtë apo jo të cështjes së pronave, e me dhjetëra miniçështje të tjera që kanë lidhje me punën e gjyqësorit, atëherë ekzekutivi duhet të ketë një instrument kontrolli mbi gjyqësorin. Ekzekutivi nuk mund të mbajë përgjegjësi për çështje që dalin jashtë kompetenvcave të veta, në të kundërt duhet të ndryshohet e gjithë natyra e sistemit politik dhe pushteti gjyqësor të marrë votëbesim në popull. Kjo është e pamundur të ndodhë për shkak të sistemit tonë kontinental, e vetmja zgjidhje mbetet fuqizimi i mekanizmit kontrollues të ekzekutivit mbi punën e gjyqësorit.   Së treti, teza e aqdebatuar e pavarësimit të gjyqësorit nga politika nukse ka themele të forta. Nëse ekziston varësia e pushtetit të tretë nga politika atëherë kjo vjen për shkak të natyrës së aktorëve që përbëjnë këtë pushtet, sesa për shkaqe institucionale. Sistemi gjyqësor sot gëzon një pavarësi të plotë institucionale nga pushtetet e tjera, madje një pavarësi të ekzagjeruar që tejkalon edhe limitet e ndërvarësisë së pushteteve. Gjyqësori vuan një varësi tjetër, varësinë e thellë ndaj klientelizmit, korrupsionit e kriminalitetit. Do të ishte më e frytshme nëse reforma në sistemin e drejtësisë do të orientohej drejt zgjidhjes së këtyre problemeve. Vetëm në një rast të tillë, pushteti gjyqësor do të krijojë imazhin e garantit për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, në të kundërt ai do të vazhdojë të zvarritet në kuotat më të ulta të besueshmërisë që mund të ketë ndonjë institucion apo pushtet në botën demokratike.