Mentor Beqa 

Kosova sot është e pavarur në sajë të rezistencës unikale të të gjithë popullit shqiptar, por mos harroni se heroi i munguar i këtij procesi ishte Ibrahim Rugova. Dëshira e një populli të tërë u mishërua tek një lider i vetëm që arriti përballë presioneve nga më të ndryshmet ta artikuloj e menaxhoj si duhet këtë aspiratë, paçka se kulmimin formal të kësaj kërkese nuk arriti ta përjetonte. Shumëkush mendon se kjo ishte ëndrra e fundme e Ibrahim Rugovës, përkundrazi ishte një prognozë e saktë politike që u finalizua edhe në mungesë të tij me pavarësimin e Kosovës. Ishte ky personazh i madh i politikës shqiptare që mori përsipër fatet e popullit të vet të robëruar në kohën kur të gjithë strukeshin në skuta të sigurta për të mos u përballur me represionin e Beogradit. Ishte ai që me 23 dhjetor të 89-ës u përballë me kurajo me kërkesën mbarëpopullore për të organizuar një lëvizje rezistence ndaj dhunës serbe. Formimi i LDK-së ishte elementi parësor i substancës së një procesi që zgjati 19 vjet. Ibrahim Rugova me një vizion të saktë orientoi në drejtimin e duhur atë kërkesë të brendshme të shqiptarëve të Kosovës. Shpallja e Kosovës Republikë në 2 Korrik të vitit 1990 dhe më pas miratimi i kushtetutës së Kosovës ishin një nevojë emergjente për të krijuar shtratin e një lëvizjeje që do të zgjaste shumë. Është pak e vështirë të mendosh se në ato vite, kur Jugosllavia ishte në një proces dezintegrimi, Kosova të pregatitej për një lëvizje të armatosur. Atëbotë Kosova ishte hiçgjë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Askush nuk artikulonte në diplomacinë ndërkombëtare problemin e Kosovës, as Shqipëria që e kishte detyrim nuk merrej me këtë çështje. Praktikisht Kosova ishte një çështje që nuk ekzistonte në politikat dinamike ndërkombëtare asokohe. Luftës së ftohtë po i vinde fundi dhe sistemet komuniste po rrëzoheshin ditë pas dite, mirëpo Kosova sapo kishte nisur një proces që vendet e tjera të Jugosllavisë ishin duke e finalizuar. Do ishte një dramë e madhe nëse Kosova do tu bashkangjitej republikave të tjera të ish-Jugosllavisë për të synuar shkëputjen nga Kosova. Të gjitha këto republika ishin të njohura ndërkombtarisht dhe kishin mbështetje nga vende të mëdha, ndërsa Kosova as që njihej. Serbia do ta kishte shumë të lehtë që në atë tymnajë të krijuar të realizonte qëllimin e vet shekullor të spastrimit etnik dhe askush të mos shqetësohej për këtë punë. Shqipëria ishte në momentet e saj më të dobta pasi po përpiqej të dilte nga zhgualli komunist që e kishte robëruar për 5 dekada. Këtu doli në pah edhe inteligjenca dhe saktësia e jashtëzakonshme e Ibrahim Rugovës. Ai e menaxhoi në mënyrë paqësore dufin e krijuar ndër shqiptarët e Kosovës, duke mbrojtur popullin e vet nga masakra. Të gjithë rezistencën e kanalizoi në ndërtimin e një sistemi paralel shtetëror. Serbia ishte e zënë me probleme të mëdha me shkëputjen e republikave të tjera, ndërsa institucionet hije të ndërtuara nga Rugova filluan të lëvizin. Me ndihmën e Shqipërisë që tashmë ishte bërë demokratike, kancelaritë perëndimore filluan të rikujtojnë se një çështje e filluar në 1913 ishte ende e pambyllur në Ballkanin e trazuar. Me një qetësi dhe durim mbinjerëzor Rugova po e kthente Kosovën nga një çështje të shqiptarëve në një çështje të të gjithë komunitetit të ndërgjegjshëm ndërkombëtar. Diplomacia perëndimore filloi të lëvizte dhe të inkurajonte rezistencën paqësore të shqiptarëve. Pak nga pak Kosova zuri vendin që i takonte në politikën globale. Ishte pikërisht ky proces disavjeçar ndërgjegjësimi që kishte krijuar një shtrat të qëndrueshëm për Kosovën. Kjo substancë shpërtheu me lëvizjen e armatosur të UÇK-së, e cila përshpejtoi ndërgjegjësimin e ndërkombëtarëve se në Ballkan një popull po vuante nga zgjedha e sistemit të fundit nacional-komunist në Europë. Në 1999 NATO ndërhyn duke e shkëputur përfundimisht Kosovën nga zgjedha e Beogradit. Ishte pikërisht kjo prognozë që kishte ideuar dhe aplikuar Ibrahim Rugova që një çështje që praktikisht nuk ekzistonte, brenda një dekade ta ndërkombëtarizonte. Për këtë duhet të gjithë t’i jemi mirënjohës dhe të mos harrojmë se paqja dhe lufta janë meritë a dështim i shumicës, ndaj të kujtojmë me respekt e nderim veprën e Ibrahim Rugovës, që ajo të na kujtojë në çaste ngadhënjimi e dobësie.