Mentor Beqa  

Protestuesit e Partisë Socialiste që dolën në emër të zisë për ngjarjen e Gërdecit mbanin në krahëror parullën; nëpunësi Berisha, në emër të popullit je i pushuar nga puna. Përpos të tjerave socialistët shqiptarë kanë bërë një hap përpara që prej ndryshimit të emrit nga partia e punës në partia socialiste. Të paktën parullën 50-vjeçare; “në emër të popullit je i dënuar me vdekje” e kanë shndërruar “në emër të popullit je i pushuar nga puna”. Nisur nga kjo frazë kuptohet sinqeriteti me të cilin Edi Rama dhe Ilir Meta “vajtojnë” për viktimat e Gërdecit, të cilët pas fatkeqësisë po nëpërkëmben edhe një herë tjetër, tashmë nga dëshira e shfrenuar për të kapur me domosdo pushtetin. Qeveria nukse mund të shfajësohet për atë katastrofë që ndodhi në Gërdec dhe këtë kosto do të paguajë në zgjedhjet e para. Po ashtu edhe Presidenti, i cili urgjentisht duhet të kishte shkarkuar nga puna shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili gjasme nuk dinte çfarë po ndodhte në vetëm 15 kilometër larg selisë së vet. SHISH-i është në dijeni edhe të bisedave që qytetarët shqiptarë bëjnë me gratë e tyre dhe është e turpshme të pretendojë se nuk ishte në dijeni të një aktiviteti të tillë. Nuk mund të justifikohen me dhjetëra intitucione që nuk bënë punën për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, por edhe disa “të fshehta” duhet t’i dinë banorët e dëmtuar të Gërdecit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të dalë dhe të shpjegojë qytetarët se cila firmë ndërtimi ka marrë më shumë leje gjatë kohëve të fundit. Kam frikë se do të rezultojë “Park Construction Albania” e cila menaxhohet nga i nderuari Mihal Delijorgji. Si është e mundur që ky batakçi kishte nënshtuar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar dhe sillej si të ishte padron?! Edi Rama përpara se të qajë për banorët e Gërdecit, të na tregojë se çfarë e lidh atë me Delijorgjin. Ky i fundit duket se ka pasur në shërbim të tij një sistem të tërë dhe kjo realizohet vetëm duke paguar para. Është pikërisht treshja Mihal Delijorgji- Blendi Gonxhe- Alban Xhillari, që bëjnë çfarë duan me qytetin e Tiranës. Edi Rama duhet të jetë në dijeni për këto gjëra. Prokuroria duhet të tejkalojë limitete e veta këtë rradhë dhe të zbulojë pasuritë e panumërta të Mihal Delijorgjit, edhe sikur ato të jenë të mbuluara me emra të tjerë. Nuk mundet që një vrasës pasi të ketë kryer krimin të thotë “më lironi nga burgu, ta dëmshpërblejë viktimën”. Kjo është një tallje e hapur me viktimat e kësaj tragjedie, me qytetarët shqiptarë dhe me të gjithë institucionet e këtij vendi. As Ilir Meta nuk mund të bëjë të dhimbshurin. Ai është deputet i zonës së Skraparit, ku dihet se në Poliçan është një ndër uzinat më të mëdha të armëve në vend. Ajo uzinë ishte oarashikuar për të kryer demontimin e predhave që u transportuan në Gërdec. Çuditërisht në Janar u ndryshua destinacioni, pavarësisht qëndresës së ish drejtuesve të Uzinës. Menjëherë u morën masa të menjëhershme për të spastruar Uzinën nga punëtorët ve ndershëm dhe në krye të saj u vendos një tjetër batakçi që do të përdorej për të realizuar planin. Ilir Meta është vënë në dijeni të këtyre lëvizjeve, por asnjëherë nuk ngriti zërin, paçka se kjo po bëhej në zonën e tij elektorale. Kryebashkiaku i Poliçanit, sikurse doli në media, e kishte ngritur këtë problem, por askush nuk mori përsipër të jepte një përgjigje. Janë pikërisht ato municione që u transportuan nga Skrapari që hodhën në erë Gërdecin. Kjo është një histori e madhe korrupsioni, po aq sa edhe delegjitimuese për të gjithë ata që po përpiqen të përfitojnë nga fatkeqësia e njerëzve fatkeqë të Gërdecit. Ata e dhanë mesazhin; duan të mos nëpërkëmbet dhimbja e tyre. Është e turpshme që dhimbja të kthehet në kryqëzatë politike, aq më shumë, kur këtë e bëjnë disa njerëz që kanë mëkate të mëdha në këtë histori.