Mentor Beqa 

Debati politik për ndodhinë e Gërdecit po merr atë rrjedh që ishte parashikuar; po instrumentalizohet një tragjedi për përfitime politike. Nga një fatkeqësi njerëzore po kalojmë në një katastrofë morale, ku për përfitime politike nuk lihet thashethem pa u servirur si i vërtetë. Tymnaja e krijuar pas tragjedisë së Gërdecit ka stimuluar media të caktuara nën hyqmin e disa personazheve të politikës dhe shoqërisë civile të ngrejnë një çështje tjetër që kinse është e lidhur me trafikun e armëve.

Dukeqenëse jam në dijeni prej kohësh për këtë aferë që prej mëse katër muajsh pritet të botohet në gazetën Neë York Times, jam i detyruar të japë disa shpjegime publike. Së pari, kjo është një ngjarje e stisur fillimisht nga shqiptaro-amerikani, Gery Kokalari, i cili tashmë njihet për dashamirësinë ndaj qeverisë shqiptare, për shkak të lidhjeve familjare me një prej njerëzve më të afër të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. I përfshirë në këtë vorbull dizinformuese është edhe Erion Veliaj, i cili tashmë ka bërë publik angazhimin politik kundër qeverisë në pushtet. Për muaj me rradhë këto personazhe kanë lobuar pranë gazetës NY Times që ky shkrim të botohej para marrjes së ftesës nga ana e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Duke stisur dhe një përgjim të paqartë këta persona kanë vënë në dijeni edhe ish kryeprokurorin, Theodhori Sollaku, i cili për shkak të mungesës së fakteve juridike, jo për shkak të dashamirësisë ndaj Sali Berishës, nuk ka investiguar mbi ngjarjen. Personazhet që kanë stisur këtë ndodhi, që e ka zanafillen tek një sherr banal mes dy firmave shqiptare që ishin të interesuara për të fituar një tender për paketimin e municioneve që do të shiste shteti shqiptar tek një kompani amerikane me qëllim eksportimin e tyre në Afganistan, shfrytëzuan në mënyrë të turpshme tragjedinë e rëndë në Gërdec për ta shpërndarë këtë thashethem të rëndomtë në tymnajën e krijuar së fundmi. Kryeministri Berisha bëri mirë që e dekonspiroi këtë situatë absurde që qarkullonte nëpër kafenetë e Tiranës e servirur në formën e një legjende nga ana e disa çunakëve që mendojnë të bëhen politikanë me anë të anti-berishizmit. Gjithsesi, NY Times duket se do të botojë këtë investigim që i ka kushtuar 1.5 milion dollarë në disa numra të gazetës duke filluar nga e diela. Por spekulimi i Erion Veliajt dhe Gery Kokalarit ka marrë fund dhe nuk është më legjendë. Investigimi i NYT ka të bëjë me një fond prej 300 milion dollarësh që SHBA ka vënë në dispozicion për furnizimin me armë të Afganistanit. Ky fond është fituar nga ana e BETA Company, e cila ka blerë armë nga shumë vende, një ndër të cilat është edhe Shqipëria. Investigimi ka në qendër dëmin ekonomik që mund t’i jetë shkaktuar SHBA-së, dhe ska lidhje të drejtëpërdrejtë me Shqipërinë. Personat të cilët janë munduar ta servirin atë si një legjendë tjetër shqiptare janë munduar që ky lloj investigimi të ketë një ndikim në marrjen e ftesës së Shqipërisë nga NATO dhe interesi në këtë pikë duket se është i qartë. Ky shembull tregon se kompromisi verbal mes maxhorancës dhe opozitës para tragjedisë ka qenë fals. Tentativa e Edi Ramës për të krijuar një model të ri opozitar u shkriftua që në sprovën e parë. Ai dhe njerëzit përreth tij vazhdojnë të kenë vetëm një model të të bërit opozitë, anti-berishizmin. Është për të të ardhur keq që edhe pas dy dekadash pluralizëm forma e vetme e të bërit politikë në Shqipëri është fakti se je pro Sali Berishës apo kundër Sali Berishës. Trajtimi i tij si gozhda që përcakton lëvizjen e lavjerrësit në skenën politike shqiptare ka ndërtuar fabulat urbane se politika s’ka tw bëjë me dijen a kualitetin politik, por me lidhjen që duhet të kesh me personazhe të caktuara. Edi Rama kishte shansin që në emër të politikës së tij të re të ndryshonte këtë realitet, por ai zhgënjeu edhe njëherë si gjithnjë më parë.