Pavarësia e Kosovës, moment ndarjeje apo bashkimi
komente 25 Mars 2008Mentor Beqa
Shqiptarët janë të preferuarit e Zotit në këtë moment të historisë së tyre, jo se me pavarësimin e Kosovës u është bërë një dhuratë, porse është korrektuar një padrejtësi e madhe e bërë thuajse një shekull më parë. Edhe kjo rivendosje e drejtësisë, është një mirësi në vetvete, se nuk është e thënë se e drejta shkon medoemos në vend. Jo! Ka popuj të shtypur që luftojnë me shekuj për lirinë e tyre, e në dukje s’ka gjasa që një ditë ta fitojnë. Është fat i madh për shqiptarët që realizuan ëndrrën shekullore, kur vetëm një dekadë më parë kjo dukej utopi. Ne duhet ta vlerësojmë këtë mirësi, por si çdo e tillë, edhe ajo mbart rrezikun e vet, varet si e trajton. Nga e mira lind e keqja, e nga e keqja lind e mira. Dje ka filluar një histori e re për Kosovën, dhe si çdo gjë e re duhet trajtuar me delikatesë. Entuziazmi shumë shpejt do t’u lërë vendin problemeve të shumta me të cilat do të përballet Kosova. Sfida e parë madhore është natyrshëm përshtatja me realitetin e ri, ridimensionimi i jetës politike dhe ekonomike në vend. Institucionet e reja të shtetit kosovar duhet të fillojnë të ndërtojnë ngapak memorien e tyre, të krijojnë premisat dhe ta kristalizojnë shtetin ligjor, duhet vizion e vullnet për të ndërtuar shoqërinë e ekonomisë së tregut e për të çliruar qytetarët nga varfëria e thellë. Ka edhe një problem që në pamje të parë nuk duket si i tillë, por sa më parë të artikulohet aq më mirë për të gjithë. A ka gjasa që krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës të shënojë një shkëputje përfundimtare të shqiptarëve që jetojnë atje me Shqipërinë, apo do të rikrijojë mundësitë e një bashkimi real jo në kuptimin e kufijve politikë? A mundet që krijimi i dy shteteve të përkthehet në krijimin e dy kombeve? Gëzimi legjitim i një momenti të tillë zbeh çdo tentativë për të ngritur problemet, por ato duhen thënë e trajtuar gjithsesi. Në aspektin politik, shqiptarët e Kosovës deri më sot të gjithë orientimin e kanë pasur kah Tirana, sot e tutje ata do të duhet ta kenë drejt vetvetes. Nëse deri më sot ata janë identifikuar me Tiranën zyrtare, sot e tutje do të identifikohen me Prishtinën zyrtare. “Glory of State” i ka përkitur Shqipërisë, sot e tutje do të përpiqen që këtë krenari t’ja veshin shtetit të ri të Kosovës. Identifikimi me shtetin shqiptar më së shumti ka ardhur si një formë proteksioni ndaj revanshit të Serbisë. Sot që Kosova është e pavarur dhe nën kujdesin e fuqive perëndimore, është pak e vështirë që Shqipëria të shërbejë si formë proteksioni. Nëse deri më sot në kancelaritë perëndimore çështja e Kosovës është artikuluar nga diplomacia shqiptare, tanimë ajo do të artikulohet nga diplomacia në krijim e Prishtinës. Frika është se hija e protektorit që e shoqëron elitën vendim-marrëse të Kosovës, mund ta shtyjë atë drejt përpjekjes për tu distancuar nga “tutori” që mbart flamurin kombëtar. Elita kosovare mund të reagojë tani e tutje duke krijuar “shenjat” e krenarisë së shtetit të ri, për të bërë diferencën me shtetin mëmë. Përpjekja për të hequr këtë hije do ti bëjë gjeneratat e reja të Kosovës që në vend të flamurit kombëtar të ngrejnë dhe nderojnë atë zyrtar. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë lloj zbehje apo ftohje ndikon edhe kultura. Kultura e shqiptarëve të Kosovës derimësot është trajtuar si periferi e kulturës shqiptare. Kjo është qasje sa e gabuar aq edhe e rrezikshme. Komunikimi brendakulturor duhet të funksionojë mbi parimin e paritetit të palëve dhe jo duke i trajtuar ata si inferior. Orientimi komunist i Shqipërisë drejt çështjeve kulturore, me një qendër në Tiranë dhe me vatra periferike në trojet e tjera shqiptare duhet të marrë fund njëherë e mirë, nëse nuk duam që të tëhuajsojmë shqiptarët që jetojnë në trevat përreth Shqipërisë. Një ndër pikat kyçe të reflektimit në këtë drejtim është gjuha standarde shqipe. Shqiptarët e Kosovës ndjehen të huaj brenda kësaj gjuhe, ata nuk e kanë të natyrshme, por të sforcuar. Frika nga asimilimi serb i ka bërë ata të kapen pas çdo dege që vinte nga Tirana e për këtë arsye kanë mbështetur edhe standarden e sanksionuar nga pushteti komunist në 72-in. Ky është një kompromis i rëndë që ata kanë bërë me vetveten dhe ne duhet ta pranojmë si të tillë. Por sot nuk ekziston më frika e jugosllavizimit apo serbizimit, kosovarët janë të lirë për të bërë zgjedhjen e tyre, ndaj elita shqiptare duhet të reagojë me pjekuri. Standardja duhet të hapet përkundrejt të folmes gege e kosovare si e tillë. Shqipja duhet të bëhet më në fund një gjuhë gjithëpërfshirëse që brenda saj të mbart të gjithë lumenjtë që e pasurojnë atë, këta lumenj janë dialektet që do ta bëjnë atë një gjuhë dinamike dhe do ta nxjerrin nga ngurtësia vrastare ku e ka futur kongresi i 72-it. Është detyrë e elitave shqiptare në Tiranë e Prishtinë, ti shohin me seriozitet këto probleme e t’u paraprijnë zhvillimeve jo fort të këndshme që mund të pasojnë. Entuziazmi nuk zgjat shumë, ndaj do të jetw tepër vonë për të reaguar kur situatat “politikisht korrekte” të shndërrohen në realitete.