Mentor Beqa

Pas një periudhe të shkurtër paqeje, temperatura e politikës shqiptare është rritur ndjeshëm për shkak të reformës së pritshme elektorale. Reagimet më të forta kanë ardhur nga LSI-ja e Ilir Metës, por edhe nga partitë e tjera të vogla. Kanë të drejtë! Ka ardhur koha që partitë e vogla të tremben seriozisht, pasi reforma elektorale që është ende duke u diskutuar i përjashton ata përfundimisht nga skena politike. Formula elektorale që po përpiqen të miratojnë dy partitë kryesore politike është qartësisht në favor të tyre dhe në dëm të partive të vogla. Megjithëse një sistem proporcional, që në pamje të parë duket se rrit bazën e përfaqësimit, formula përllogaritëse përjashton automatikisht partitë që nuk arrijnë të marrin një numër të konsiderueshëm votash. Sekreti nuk qëndron as tek pragu elektoral e as tek listat e hapura apo të mbyllura, por thjesht tek një formulë matematikore, e zbuluar nga matematicieni belg D’Hondt. Për të qenë më të thukët në arsyetim do të parashtrojmë një udhëtim të shkurtër në teorinë e votimit dhe konkretisht do të fokusohemi tek sistemi proporcional rajonal i tipit spanjoll, që mesa duket do të jetë sistemi elektoral me të cilin do të zhvillohen zgjedhjet e vitit 2009.

Sistemi i proporcional i përfaqësimit

Demokracia e drejtpërdrejtë nuk mund të funksiononte në shoqërinë moderne dhe për të arritur tek demokracia përfaqësuese duhej një metodë për të realizuar delegimin e kompetencave nga populli tek përfaqësuesit e zgjedhur. Teoria e votimit filloi të elaborohej në shekullin e 18-të, kur edhe monarkitë dhe rendet e tjera absolutiste filluan të dobësohen dhe doli nevoja e republikave apo monarkive me demokraci përfaqësuese. Sistemet zgjedhore më të përhapura që nga ajo kohë janë sistemi mazhoritar, sistemi i përfaqësimit proporcional dhe sisteme të tjera që dalin si rezultat i përzierjes së këtyre dy sistemeve. Shqipëria aktualisht vazhdon të ketë një sistem të përzier, mazhoritar të korrigjuar me proporcional në masën 40 për qind. Diskursi politik është fokusuar prej kohësh në ndryshimit e sistemit elektoral në favor të sistemit proporcional dhe duket se reforma e fundit ka përjashtuar si mundësi zgjedhjeje sistemin mazhoritar, i përdorur kryesisht në traditën anglosaksone. Përfaqësimi proporcional mbahet si një formulë zgjedhore e cila krijon një ekuilibër të drejtë mes përqindjes së votuesve dhe grupit të deputetëve që zënë vend në parlament. Pra sipas këtij sistemi, votat e humbura minimizohen dhe shkalla e përfaqësimit rritet, në ndryshim nga votimi plural, tek i cili votat e humbura janë të mëdha dhe i merr të gjitha ai që del i pari. Për këtë arsye ky sistem është adoptuar nga shumica e vendeve evropiane dhe joevropiane që kanë si sistem qeverisës demokracinë liberale. Sistemi proporcional ndahet kryesisht në dy kategori, sistem proporcional kombëtar dhe sistem proporcional rajonal. I pari ka vetinë e zgjerimit të bazës së përfaqësimit dhe fut në Parlament përfaqësuesit e më shumë grupeve të interesit, por në anën tjetër e fragmentarizon shumë jetën politike, duke krijuar paqëndrueshmëri në qeverisje. Pra, me pak fjalë nuk mund të ketë një parti qeverisëse, por një koalicion qeverisës, i cili do të jetë i kushtëzuar nga ekuilibrat politikë të koalicionit. Nëse në sistemin proporcional kombëtar, kemi një listë kombëtare të partive garuese ose koalicioneve, në sistemin proporcional rajonal vendi ndahet në disa rajone dhe në secilin rajon, partitë politike ose koalicionet përfaqësohen me nga një listë. Varianti i dytë i sistemit proporcional, afron më shumë deputetët me komunitetet që përfaqësojnë dhe në varësi të formulës mund të krijojë qëndrueshmëri ose destabilitet në qeverisje.

Lista të hapura apo të mbyllura

Diskursi politik kohët e fundit është mbërthyer tek debati për listat e hapura apo listat e mbyllura, megjithëse çelësi i debatit duhet të ishte diku tjetër. Sistemi proporcional me lista të mbyllura, i cili ka shumë gjasa të jetë sistemi ynë, presupozon që partitë politike apo koalicionet të dalin me një listë të përcaktuar deputetësh përpara zgjedhjeve, dhe kjo listë të mos jetë e hapur ndaj ndryshimit në bazë të përqindjes që do të marrin kandidatët e deleguar për të administruar një zonë të caktuar elektorale. Listat e mbyllura kryesisht anatemohen, pasi rrisin ndjeshëm rolin e strukturave drejtuese të partive politike apo liderit të partisë dhe ulin mundësinë e zgjedhësit për të dhënë preferencën, pasi lista përcaktohet nga lideri i partisë. Ndërsa tek listat e hapura, renditja e kandidatëve është e hapur përkundrejt përqindjes që ata marrin në zonat ku janë deleguar dhe lista përfundimtar hartohet në bazë të këtyre përqindjeve pas zgjedhjeve. Avantazhi i kësaj forme është se zbeh rolin e liderit dhe strukturave partiake dhe rrit ndjeshëm rolin e zgjedhësve në dhënien e preferencës. Por, situata politike në vendin tonë duket se ka nevojë për një sistem me lista të mbyllura. Argumenti i parë se rrit rolin e liderit, është i paqëndrueshëm, pasi ky është thjesht formalizim i një situate që ekziston, sepse roli i liderit në përcaktimin e kandidatëve është determinant edhe në sistemin aktual. Ndërsa një avantazh tjetër i madh është fakti se kjo lloj forme krijon mundësinë për të pastruar njëherë e mirë politikën, nga cubat e lagjes, qytetit apo fshatit, nga parelinjtë që se kanë për gjë të blejnë votat dhe i jep politikës një fytyrë më qytetare. Por debati mbi listat e hapura apo të mbyllura nuk është thelbësor, paçka se është faktorizuar për shkak të pamundësisë së aktorëve politikë për tu kapur tek esenca e debatit; formula e përllogaritjes së përqindjeve.

Metoda D’Hondt

Kjo formulë zgjedhore mbart emrin e matematicienit belg, Victor D’Hondt, e cila u bë e famshme pasi u mor si metodë e përllogaritjes së përqindjeve zgjedhore, nga shumë vende evropiane. Përpos sistemit zgjedhor spanjoll, këtë formulë përdorin edhe vende të rajonit si Serbia, Maqedonia, Sllovenia, Turqia dhe shumë vende të tjera evropiane, përfshi dhe Italinë. Formula në dukje është e thjeshtë, por ka një efekt thelbësor; përafron numrin e deputetëve të dy partive kryesore dhe zhduk nga skena politike partitë që nuk arrijnë të grumbullojnë një numër të konsiderueshëm votash. Formula është kjo: V/ S+1 ku: V është numri total i votave që kanë marrë partitë politike, S është numri i vendeve në parlament që merr secila parti në progresion, ndërsa +1 është primi që fiton partia që renditet e para në zgjedhje. Më konkretisht: nëse Partia A ka marrë 100 mijë vota në një rajon, partia B ka 90 mijë vota dhe partia C ka 10 mijë vota, atëherë vendi i parë i takon partisë A, vendi i dytë partisë B, vendi i tretë sërish Partisë A, vendi i katërt Partisë B dhe vijon në mënyrë përpjestimore formula. Partia C, në bazë të kësaj formule e ka të pamundur të marrë një vend në parlament. Përshtatur me situatën tonë politike, kjo formulë zhduk nga skena politike partitë e vogla dhe e bën sistemin politik bipartiak. E vetmja nga partitë e vogla që mund të shpresoj të marr një numër shumë të vogël deputetësh, është LSI-ja, por kurrë nuk do të mund të ketë numrin e deputetëve në përputhje me përqindjen. Nëse kjo formulë do të miratohet nga dy partitë e mëdha, atëherë vendi do të dalë përfundimisht, nga “diktatura” e partive të vogla, të cilat duke përdorur pakicën bllokuese, kanë mbajtur peng shpeshherë qeverisjen e vendit. Ky është thelbi i mërzisë së madhe të partive të vogla dhe kanë të drejtë të mërziten; skena politike e pas 2009-s duket se do të jetë pa to.

Gazeta Standard
24/02/2008