Përtej përgjegjësive për tragjedinë
komente 25 Mars 2008Mentor Beqa
Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen për tragjedinë që ndodhi në Gërdec, duke zhgënjyer edhe në ditën e fundit të tij si ministër.
Dorëheqja e ministrit ishte e pashmangshme, por i gjithë opinioni publik po priste të mësonte se a do të gjente kurajon për tu kërkuar ndjesë shqiptarëve për atë ndodhi makabre. Mediu në deklaratën e tij u përpoq disa herë të shmangte përgjegjësinë personale, duke humbur shansin që bashkë me tragjedinë, ai të paktën të bënte të pranueshëm imazhin e tij përpara qindra viktimave të fatkeqësisë. Ministri nuk mori përsipër përgjegjësitë e mëdha që i takojmë duke u bërë përgjegjës njësoj me një qytetar që nuk e denoncoi atë që ministri lejoi të bëhej. Faji është hierarkik në raport me përgjegjësitë që ke marrë përsiër. Zoti Mediu duhet të kishte pohuar se strukturat shtetërore kanë dështuar në mënyrën më spektakolare të mundshme. Ata kanë thyer nenin e parë të kontratës sociale që nënkupton se qytetarët bien dakord për të ndërtuar shtetin së pari për tu garantuar jetën e pronën e tyre. Shteti nuk arriti ta bënte këtë. Përgjegjësia në këtë rast është vertikale. Presidenti i Republikës duhet të dalë të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij shteti inekzistent. Ai ka nën varësi një institucion të tërë që merret me garantimin e sigurisë kombëtare. Përse ekziston Shërbimi Informativ Shtetëror?! Për t’u përgjuar telefonatat qytetarëve, apo për të informuar institucionet përkatëse për raste të tilla që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Presidenti i vendit përpara se të përdorë SHISH-in për të shantazhuar gazetarë gjoja spiunë, duhet ta përdor pikërisht për të parandaluar raste të tilla tragjike. Qeveria shqiptare është votëbesuar për të menaxhuar resurset e këtij vendi, e jo për ti kthyer ato në mina me sahat. Kryeministri i vendit përpara se të çlironte njerëz nga përgjegjësitë duhet t’u kërkonte ndjesë shqiptarëve për pamundësinë që pati për të parandaluar këtë ngjarje. E ka pasur të pamundur, të gjithë e dimë këtë, sepse pranon të menaxhojë pushtetin me palaço-parti. Ai duhet të marrë përsipër kusuret që i takojnë një kryeministri dhe jo të justifikojë ministra të papërgjegjshëm. Opozita me deputetët e saj është përgjegjëse se dështoi në mënyrë të turpshme në misionin e kontrollimit të veprimtarisë së institucioneve shtetërore. Është e lehtë sot të kërkosh dorëheqjen e kryeministrit, por opozita nuk e ngriti asnjëherë këtë shqetësim në kohën kur merrej me cicmice politike që nuk i hyjnë askujt në xhep. Dështuam ne si gazetarë që jetojmë nga resurset e kësaj shoqërie, për ta informuar për këto rreziqe që i kanosen. Ne ishim të paaftë të informonim se vetëm 20 kilometër larg zyrave tona po bëhej tregti me jetë njerëzore. Dështuan edhe ata qytetarë që protestojnë me të drejtë, sepse bën kompromis me vdekjen e për asnjë moment nuk ngritën zërin se disa bastardë të pangopur po talleshin me jetën e tyre. Të gjithë jemi përgjegjës, dikush moralisht e dikush politikisht, për këtë gjëmë që u ndodhi njerëzve të pafajshëm, përveç Ministrisë së Mbrojtjes. Aty nuk ka thjesht përgjegjësi morale e politike, aty ka përgjegjësi ligjore. Në atë institucion është gatuar kjo tragjedi dhe ata duhet të paguajnë për të. Gjithsesi shoqëria shqiptare, strukturat shtetërore duhet të gjejnë forcën për tu ringritur mbi tragjedinë. Ajo që ndodhi në Gërdec na mësoi të gjithëve brishtësinë e shtetit që kemi ndërtuar. Institucionet jofunksionale e deri tek mospasja e ndjeshmërisë ndaj jetës njerëzore, por ajo çka është më e rëndësishmja, tregoi se shteti shqiptar vazhdon të jetë i kapur nga grupe njerëzish që qëndrojnë prapa titullarëve të institucioneve dhe që devijojnë vendimmarrjen për interesa të ngushta klanore. Ky është korrupsioni që kryeministri i vendit është mandatuar të luftojë. Pajtimi me parcializimin e pushtetit me parti virtuale është një kosto e lartë politike për Sali Berishën. Në mos sot, në 2009 do të jetë ai që do të përballet me shqiptarët, të cilëve do t’ju rrëfej bilancin. Këtë nuk do ta bëjë as Fatmir Mediu, as Nard Ndoka e as Genc Pollo të cilët kanë për synim të pasurojnë ca të afërm shpejt e shpejt. Sali Berisha duhet të gjejë kurajon të dalë nga rrethi vecioz i shantazheve ku e kanë futur aleatët edhe sikur kjo t’i kushtonte mazhorancën. Ai është votuar që të menaxhojë shoqërinë shqiptare jo partitë e qeverisë shqiptare.