Shansi për të rivlerësuar votën e qytetarëve
komente 25 Mars 2008Mentor Beqa
Shumëkush mendon se debati për reformën zgjedhore në vend është ekzagjeruar dhe se popullit nuk i intereson se çfarë lloj sistemi do të zgjedhim, spanjoll, gjerman apo puri shqiptar. E rëndësishme sipas kësaj dore aktorësh publikë është të flitet për rrugët, kanalet, asistencat, papunësinë mikrofinancat e familjeve shqiptare, sepse ato janë çështjet që prekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë banorët e varfër të këtij vendi. Nukse e kanë fort gabim, shqetësimi i shqiptarëve janë ato që përmendëm, por shqetësimi i politikbërësve duhet të jetë rruga se si zgjidhen këto probleme, ndaj debati mbi reformën zgjedhore është shumë i rëndësishëm. Diskursi mbi këtë reformë nuk mund të izolohet dhe të trajtohet thukët si gjetje e një formule për të çuar në Kuvend një tufë parlamentarësh, të cilët do të kryejnë rutinën e përhershme të mbajtjes së karriges prej deputeti për një periudhë katër-vjeçare, e mëpastaj me shpresën se mos këtë privilegj do të mund ta përsëris sërish. Reforma në sistemin zgjedhor duhet të shihet si një pjesë e integruar e një reforme të tërë që ka të bëjë në tërësi me sistemin politik, me modelin e përfaqësimit të qytetarëve të këtij vendi, me kulturën politike, me reagimin që do të sjellë kjo reformë tek partitë politike e shumë e shumë çështje të cilat në mos drejtëpërdrejtë, lidhen mepatjetër edhe me ato problemet themelore të qytetarëve shqiptarë. Për të arritur tek një zgjidhje, natyrisht që duhet të zgjedhësh një rrugë dhe sa më shumë debat të ketë aq më e pjekur është zgjedhja., ndaj diskursi për reformën zgjedhore nukse i bën dëm kujt, përkundrazi, çel fushëpamje të reja mbi këtë çështje shumë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. Propozimi konkret i Partisë Socialiste është një propozim shqiptar me një formulë të huazuar dhe ne duhet ta shohim si të tillë. Gjithsesi, e rëndësishme në këtë mes nuk është se çfarë lloj sistemi është ky spanjoll apo turk, por a e përmirëson funksionimin e demokracisë në Shqipëri apo përkundrazi e dëmton. Qasja ndaj këtij debati duhet të mbetet tek avantazhet apo disavantazhet e sistemit të propozuar. Sistemi zgjedhor proporcional rajonal me lista të mbyllura është një zgjedhje e kushtëzuar në këto momente për shumë arsye politike. Së pari, sistemi zgjedhor aktual ka dështuar në mënyrë spektakolare duke i ofruar shoqërisë shqiptare një mishmash dhe pasiguri zgjedhore. Ai ka deformuar përfaqësimin dhe votën e qytetarëve, madje ka shërbyer si një mjet për trafikimin e votave dhe deputetëve duke krijuar përfaqësime dhe atribute politike virtuale. Pavarësisht riparimeve të herpashershme, ai është bërë sërish pre e djallëzive politike duke u lënë shteg keqpërdoruesve të bëjnë horrlliqe nga më bajatet me të. Nuk ishte faji i sistemit në vetvete? E ç’rëndësi ka kjo, sistemi lejonte hapësira për të abuzuar me të sipas qejfit e oreksit të partive apo politikanëve të caktuar, deri në degradimin e plotë të sotëm, ku askush nuk di formalisht se sa vota ka një parti e caktuar politike. Sikur të mjaftonin vetëm këto, sistemi aktual zgjedhor duhet ndryshuar një orë e më parë, e për këtë nuk ka diskutim. Së dyti, sistemi i propozuar krijon thjeshtësi teknike (duket disi naive) për të cilat Shqipëri ka nevojë ulëritëse. Sa më i thjeshtë sistemi zgjedhor aq më pak shanse ka për të devijuar votën e qytetarëve apo më e keqja për ti manipuluar zgjedhjet duke përdorur institucionet shtetërore të menaxhimit të tyre, siç dhe ka ndodhur në të kaluarën. Sistemi i propozuar konsiston në një fletë votimi, e cila është e thjeshtë për qytetarin, por edhe për administruesit e zgjedhjeve, duke na dhënë përfundimisht shansin që votimin të mos e përcaktoj numëruesi, por votuesi. Kjo do të shmangte edhe rrezikun e kolapsit ku desh përfundoi vendi në Korrik të 2005-ës, ndërsa organet zgjedhore ndodheshin përballë pamundësisë për të nxjerr rezultatin. Së treti, jep mundësinë e vlerësimit real të kapitalit të aktorëve apo partive në tregun politik. Rikthen në vendin e vet vlerën e votës së qytetarit duke shmangur mekanizmat manipulativ për të faktorizuar parti inekzistente. Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Neritan Ceka, Paskal Milo e shumë të tjerë duhet të përballen me autogënjeshtrat që i kanë mbajtur në politikë pa pasur votën e qytetarëve. Projekti i propozuar krijon mundësinë e një qeverisjeje pa pengmarrje nga partitë e vogla, të cilat e kanë qelbur administratën me militantët e tyre, për të kapur 2.5 përqindëshin e famshëm. Nuk është çudi që në administratën e shëndetësisë sot të gjesh mekanik, e rëndësishme është të jesh demokristian, apo në administratën e arsimit – hidraulikë, mjafton që je pollist. Së katërti, sistemi detyron një riorganizim të partive politike në të dyja krahët e politikës shqiptare. Partitë e vogla ose do të detyrohen të hyjnë nën ombrellën e partive të mëdha, por tashmë duke lënë mënjanë vicklat e tyre dhe të pranojnë kushtet, ose do të riorganizohen brenda vetes, për të krijuar një bazë reale elektorale. Ndërsa partitë e mëdha do të detyrohen të rrisin cilësinë e brendshme, pasi ata do të votohen në bllok, çka do të thotë se sa më shumë kualitet, aq më shumë vota në elektorat. PD dhe PS do të jenë të detyruara të hapen përkundrejt vlerave reale në politikë çka do të sillte dhe një sistem karriere brenda këtyre partive. Së pesti, shqetësimi se mungesa e partive të vogla ekuilibruese do të rriste arbitraritetin e partisë fituese në zgjedhje, nuk mund të qëndrojë, pasi vetë mekanizmi zgjedhor imponon një rezultat të ngushtë mes partive të mëdha, çka do të parandalonte maxhorancat absolute dhe do ti bënte fituesit më të përgjegjshëm në qeverisje, për shkak edhe të mundësisë së humbjes së maxhorancës. Ky është një imazh i projektuar se çfarë mund të ndodhë pas miratimit të këtij mekanizmi zgjedhor, gjithsesi ai mund të sjellë edhe surpriza të tjera që kanë të bëjnë me ridimensionimin e së djathtës shqiptare. Presioni që mund të vijë nga fakti se LSI do të marrë një numër të caktuar deputetësh, mund të çojë në riorganizimin e partive tradicionale të së djathtës, të cilat mund të ekuilibronin skenën politike të pas zgjedhjeve të 2009-ës.