Unë kam një ëndërr
komente 25 Mars 2008Nga Mentor Beqa
Ëndërroj për një vend ku ujku dhe qengji bashkudhëtojnë në një varkë dhe ku ujku nuk vesh lëkurën e qengjit. Ëndërroj për një vend ku gënjeshtra i nënshtrohet së vërtetës dhe ku fuqia nuk përcakton të vërtetat. Unë kam një ëndërr për një vend, ku paqja është në thelbin e tij dhe ku peshku i madh nuk e gëlltit peshkun e vogël. Ëndërroj për një vend ku identiteti im vetjak të mos përcaktohet nga të tjerët. Ëndërroj për një vend ku opozita nuk është e njëjta e përhershme, njësoj kundërshtuese, njësoj refuzuese dhe qeveria njësoj represive, një vend ku të qenit i ndryshëm nuk definohet si të qenit “tjetri”, një vend ku shumëngjyrëshmëria nuk është njësoj si njëngjyrëshmëria, një vend ku diferencat forcojnë panoramën e shoqërisë.
Unë kam një ëndërr
Ëndërroj për një vend ku politikanët nuk duartrokiten, sepse bëjnë pikërisht atë që kanë detyrë të bëjnë, aty ku elitizmi nuk zëvendësohet për elegancë, aty ku myslimani dhe i krishteri, i djathti dhe i majti, thonë pa komplekse identitetin e tyre dhe nuk ndjehen të përjashtuar, aty ku feja nuk lufton shkencën dhe shkenca nuk lufton fenë, aty ku universiteti është universal dhe nuk formon një universitet uniform, aty ku pedagog bëhet ai që duhet të bëhet dhe jo i afërmi apo i preferuari i rektorit a dekanit, aty ku një adoleshent sillet si i tillë dhe jo i degjeneruar, aty ku një fëmijë lexon libra dhe jo sheh telenovela.
Ëndërroj për një vend ku gazetarët ndjekin tendencën e mirë, kërkojnë dhe mund të gjejnë një lajm të mirë për ta publikuar. Një vend ku media nuk është kobure interesash e konjukturash, por një oaz i së vërtetës. Një vend ku ai që ka diçka për të thënë ta thotë e ai që s’ka të heshtë. Një vend ku fjala e të dijshmit të mos vlejë sa fjala e injorantit. Një vend ku racionalja dhe iracionalja të plotësojnë njëra-tjetrën e jo ta përjashtojnë.
Ëndërroj për një vend ku nuk kam shumë mundësi për të ëndërruar, pasi ëndrrat e mia janë bërë realitet.
Ëndërroj pasi kam nevojë. Kam nevojë për një vend ku të jesh i mbuluar apo i zbuluar nuk shihet si një dimension identitar, ku e drejta për të shprehur estetikën individuale është e garantuar prej demarshit të lirisë së tjetrit, ku të drejtat e njeriut nuk jepen e merren sipas tekave të vendimmarrësve, ku fakti se jam i lirë nuk më ndalon të drejtën për të qenë më i lirë, atje ku i njëjti fakt të më lejojë të ngre zërin ndaj diskriminimit të të tjerëve.
Ëndërroj një vend ku kontrata sociale rreth sistemit demokratik funksionon, ku “check and balance” jo vetëm kontrollon, por përforcon elementët e një sistemi parlamentar, ku kontrolli të mos nënkuptojë bllokimin, ku opozita t’i bëjë opozitë idesë së tjetrit dhe jo tjetrit vetë, ku qeveria ta shohë veten si shërbëtore dhe jo si padrone, ku të mandatuarit thonë të vërtetën dhe nuk mashtrojnë, ku prokurori nuk të heton para se të ndodhë krimi dhe ku gjykata nuk të dënon pa provuar fajësinë, një vend ku e drejta është e garantuar dhe sistemi ma mbron këtë garanci.
Përkundrazi
Unë kam një vend ku aktorë politikë e socialë diskutojnë ende nëse bakshishi është mjet i lejuar, kur të gjithë biem dakord se është ilegal. Unë kam një vend ku shumica duan të korruptohen, ku të gjithë kërkojnë të pasurohen sa më shpejt, një vend ku askush nuk ka durimin të presë frytet e punës së mirë që ka bërë, një vend ku pakkush beson ende tek puna e përditshme.
Unë kam një vend ku gazetarët marrin një “dhuratë” nga një i huaj dhe vrapojnë të shkruajnë historinë, kur të gjithë e dimë se detyra e gazetarit është të raportojë lajme, jo të krijojë të tilla. Unë kam një vend ku gazetari pajtohet me meskinitetin e interesaxhiut e na e shet atë për hero.
Unë kam një vend ku akademikët thonë se nuk do të zbatojnë ligjin e nxjerrë nga parlamenti, ku gangot shihen si të paprekshëm, ku një prokuror që procedon një gangster etiketohet si kurajoz, ku një sekser vlen më shumë se një zyrtar, ku një shofer deputeti respektohet më shumë se deputeti, ku një ulëritës gjen vend më shpejt se një i arsyeshëm, ku kushëriri apo i afërmi punësohet përpara atij që ka mbaruar “Oxford”-in apo “Harward”-in.
Unë kam një vend ku e liga bashkëjeton si e barabartë me të mirën, një vend ku nuk mund të flasësh për moralin, për të drejtën, për të mirën. Një vend ku duhet të braktisësh vetveten për t’u konformuar me tjetrin, një vend ku duhet të bësh gjëra që s’të pëlqejnë, sepse u pëlqejnë të tjerëve.
Unë kam një vend ku njerëzit kanë harruar të ëndërrojnë
Ëndërrimi ka nevojë për besim, besim në natyrën njerëzore, besim në të ardhmen, besim në sistem, besim në vetvete, besim tek të tjerët, besim tek shoqëria, besim në qenësinë e së vërtetës, besim se e mira triumfon mbi të keqen, besim se transhendeca është vlerë dhe jo humbje.
Unë kam një vend ku njerëzve u mungon besimi
Por vazhdoj të kem një ëndërr! Sepse nuk kam vend tjetër ku të shkoj, nuk kam vend tjetër për të cilin të ëndërroj, nuk ka vend tjetër për të cilin të luftoj.
Unë kam një ëndërr për një vend ku të gjithë kanë nga një ëndërr.
Gazeta Standard
25/02/2008
25 Mars 2008 më 10:09 am
eshte shkrimi me i bukur qe mund te kete bere ndonje gazetar dhe sma merr mendja te bej ndonje ne te ardhmen.
.. eshte shume e gjetur.. tung
27 Mars 2008 më 10:41 am
shume bukur Mentor! te lumte!
27 Mars 2008 më 1:36 pm
edhe une e kam nje enderr! nje enderr qe quhet Shqiperi. ku shoket jane shoke, e ku miqte jane miq, ku e mira dhe e keqja jane e mire dhe e keqe, ku gjithcka ka kuptim dhe ku une e kam nje te ardhme. ku ke qene o Mentor qe sheh te njejten enderr me timen?! une kam ikur dhe e kam enderr te kthehem. dhe e kam vene re ne disa shkrime qe shqiptaret e kane nje enderr. si i behet qe ta bejme realitet kete enderr?
28 Mars 2008 më 5:13 am
Pershendetje
Si behen realitet enderrat Lani. Shumekush mendon se nuk behen, une mendoj se po. Projektet e medha te njerezimit kane qene endrra ose vegime, derisa u shnderruan ne realitet. Mjetet fluturuese prsh, qe nga qylimat pers e deri tek vegimet e da vincit, ishin endrra, ndersa ti sot e viziton vendin tend kur te bie kohe, me nje mjet fluturues. Amerika, prsh, ishte enderr qe levizjet e vikingeve e deri tek kolombi, por u shnderrua ne nje realitet. Le ta realizojme edhe ne endrren tone, duke sendergjuar energjite tona pozitive. E keqja qendron tek fakti se ne rastin me te mire energjite tona nuk menaxhohen sic duhet, ndersa ne me te keqin shperdorohen. Le te ushtrojme presion sa te mundemi qe keto energji ti kanalizojme sic duhet. Te pershendes atje ku je Lani