Artan Fuga

Gazeta Standard 

Në javën që kaloi vendi ynë priti ministren e Jashtme të Greqisë, zonjën Bakojanis dhe Kryeministrin e Turqisë, zotin Erdogan. Në deklarimet e tyre ata shprehën mbështetjen e pakushtëzuar në lidhje me ftesën për në NATO, që sipas të gjithave gjasave, pritet të bëhet në ditët që do të vijnë.

 A mendoni se qëndrimi i këtyre dy vendeve me peshë politike në rajonin e Ballkanit shpreh garancinë se Shqipëria do të bëhet në javën e ardhshme anëtare e Aleancës së Veriut pavarësisht ngjarjeve jo pozitive të dhjetë ditëve të fundit?

Pa dyshim që kanë qenë deklarata të qarta si nga ana e ministres së Jashtme greke, ashtu sikurse edhe nga ana e Kryeministrit turk. Pavarësisht se këto dy vende janë në NATO, dihet prej të gjithëve se përgjatë historisë së kohëve që jetojmë midis tyre ka pasur edhe konflikte apo kundërshti që lidheshin si me problematika territoriale për ishujt e Egjeut ashtu edhe për problemin qipriot. Duhet pranuar se Shqipëria tradicionalisht ka mbajtur një qëndrim të pjekur diplomatik duke qenë e hapur midis këtyre dy vendeve dhe pa rënë ndonjëherë në prirjen për ta pasur mirë vetëm me njërin kundër tjetrit. Edhe ata nga ana e tyre nuk kanë asnjë interes që të bëjnë një politikë që do të na jepte ne shqiptarëve rastin për të bërë një politikë të njëanshme në planin e jashtëm, pra që do të ishte e gabuar.

Turqia e kupton shumë mirë dhe e ndjek prej kohësh këtë politikë se në një Ballkan me popullsi sllave, greke, ortodokse dhe myslimane, tek të fundit bëjnë pjesë në shumicë shqiptarët. Këta të fundit janë pra pa dyshim ata që ajo i sheh me sy të privilegjuar.

Shekuj historie janë pas që tregojnë atë marrëdhënie të ndërlikuar, por pastaj edhe miqësore sidomos në planin kulturor midis shqiptarëve dhe turqve. Hidhini një sy sheshit kryesor të Tiranës dhe do të shihni gjithë natyrën e çuditshme të paraardhësve tanë dhe ndërlikimet e çuditshme që sjell historia. Atje para në nesh do të gjeni sesi bashkëjetojnë dy simbole kaq kontradiktore, por edhe kaq themeltare në kujtesën e kombit tonë, pra edhe statuja madhështore e Skënderbeut, simboli mitik i qëndresës ndaj invazionit perandorak osman dhe ndaj gjeostrategjisë së tyre, edhe xhaminë – simbol i Tiranës, shprehje e përvetësimit të ideologjisë dhe fesë osmane dhe pastaj e përfshirjes së islamit brenda kulturës kolektive shqiptare. Të dyja këto simbole kontradiktore kanë zënë vend në histori në kohëra të ndryshme dhe janë edhe një shprehje tjetër e natyrës kontradiktore e fatit tonë përgjatë shekujve edhe në jetën e sotme gjeopolitike ndërkombëtare.

Ndërkaq edhe Greqia është shumë e interesuar që për shkaqe gjeopolitike, ekonomike të emigracionit shqiptar në Greqi, të minoritetit të saj në territorin shqiptar, të ketë, sikurse edhe vendi ynë ka po të njëjtat arsye, për të qenë partnere dhe e mirëkuptuar për ambiciet tona në NATO.

Por mbi të gjitha veçoj deklaratën e Presidentit amerikan Xhorxh Bush të bërë pardje, ku ai shprehet se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën e A-3 për të hyrë në NATO. Kjo më duket se është një shenjë fort kuptimplotë për të treguar se ftesa ndaj nesh për t’u bërë pjesë e Aleancës së Veriut do të ishte në rrugë të mbarë.

Sidoqoftë, i përmbahem idesë që e kam shprehur për lexuesit tanë që prej disa muajsh se ne do të pranohemi, ndofta, jo për shkak të performancave tona në realizimet ushtarake apo në reformat lidhur me sistemin politik apo juridik. Jemi shumë larg asaj që na kërkohet. Tragjedia e Gërdecit dhe ngjarjet që po e shoqërojnë atë dëshmojnë se kemi rrugë të gjatë për të bërë.

Ne kemi mundësi pranimi më së pari për shkaqe gjeopolitike, më shumë për shkaqe të jashtme sesa të brendshme etj.

Në kushtet e rikthimit të rivaliteteve me Rusinë, të luftës kundër terrorizmit, të mbështetjes së Perëndimit ndaj pavarësimit të Kosovës, vendi i Shqipërisë në NATO bëhet i kuptueshëm. Aq më shumë se shqiptarët si popull janë treguar tërësisht properëndimorë, aq më shumë se ne kemi mbështetur realisht dhe ushtarakisht, me djemtë tanë, të gjitha operacionet ushtarake të NATO-s apo të aleatëve perëndimorë sa herë kjo na është kërkuar. Pra nga kjo anë ne e meritojmë të pranohemi.

Nëse do të pranoheshim, ky fakt do të vërtetonte gjithashtu se ne nuk kishim përse të bënim reforma të nxituara në planin politik dhe atë juridik, fshehur pas alibisë se këto reforma duhen bërë shpejt e shpejt, me një «përqafim» midis partive të mëdha kundërshtare, pra midis atyre që drejtojnë shumicën në pushtet dhe drejtuesve të opozitës. Është e qartë se reformat e shpejtuara dhe pa marrë parasysh nevojat e vërteta të vendit nuk sjellin asgjë të mirë. Tragjedia e Gërdecit, të dhënat mbi trafikun e armëve, përplasjet e fuqishme midis Ministrisë së mbrojtjes dhe shtabit të përgjithshëm, mosfunksionimi i sistemit tonë administrativ për të parandaluar tragjedinë, marrëdhëniet e paqarta midis disa funksionarëve të shërbimit civil dhe spekulantëve të ndryshëm, të gjitha këto bashkë me mosrespektimin e dispozitave ligjore nga hallka të ndryshme të shtetit, mungesa e transparencës në tregtimin e armëve, lidhja me firma të çuditshme etj., janë të mjaftueshme për të thënë se reformat e shtetit dhe të modelit tonë social, politik dhe juridik duhen parë me një sy krejt tjetër nga sa shiheshin deri tani.

Pra, përsëri, nga ana simbolike ne ndodhemi përballë një kundërshtie, jemi midis Skënderbeut dhe xhamisë, të dyja simbole të futura në jetën tonë të përditshme prej kohësh, pra edhe duhet të futemi në NATO edhe kanë nevojë për ne, edhe na mbështesim, por edhe tjetra, ne nuk jemi treguar aspak në lartësinë e duhur me ngjarjet që po dalin në dritë me forma të ndryshme. Kjo më së paku bën që nëse do të pranohemi si kandidat për të marrë ftesën, merita e kësaj nuk do t’i bjerë si miell a sheqer dasme mbi supet e kësaj apo asaj partie, askush nuk do të ketë rastin për ta përvetësuar këtë gjë.

Sidoqoftë të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. E pranuar apo papranuar në NATO, klima politike do të vazhdojë të jetë e ashpër në muajt që vijnë.

2. Kryetari i opozitës, Edi Rama, i ka dërguar shefit të NATO-s Shefer një letër ku shprehte opinionin e tij për shpërthimin në Gërdec dhe më tej shprehej se opozita ka lënë prapa interesat politike dhe ka vendosur të japë mbështetjen e vet anëtarësimit të vendit në NATO. Po t’i përmbahemi historisë së fillimit të viteve ’90, ku socialistët ishin kundër pranimit të vendit tonë në NATO, a mendoni se kemi nevojë të bëjmë një ndryshim në qëndrimin e tyre ndaj NATO-s?

Ajo është një histori e largët. Atëherë socialistët ishin me shumicë vazhdimësi i një mentaliteti që i gjente rrënjët e veta te monizmi i dikurshëm dhe te politikat komuniste përgjatë Luftës së Ftohtë. Kjo traditë politike, për ta thënë të gjithë të vërtetën nuk ishte thjesht kundër hyrjes në NATO, por përpara kësaj, kishte qenë në ato kohë të largëta mbi të gjitha kundër Traktatit të Varshavës. Pra, duhen thënë të dyja. Socialistët shqiptarë atëherë sapo dilnin nga kjo periudhë e Luftës së Ftohtë kur paraardhësit e tyre kishin vendosur që në kohën kur dy kampet ushtarake ishin në përplasje midis tyre, Shqipëria të rrinte jashtë kampeve dhe aleancave ushtarake. Kjo pozitë, veç të tjerave, shkonte bashkë me izolimin e përgjithshëm të Shqipërisë dhe me nevojat e diktaturës për t’u mbyllur.

Ishte përsëri një gjendje midis Skënderbeut dhe xhamisë, nëse do ta vazhdojmë këtë metaforë simbolike.

Por ato kohë janë shumë larg. Brenda vetë socialistëve kanë ndodhur ndryshime brezash. Elektorati i tyre tanimë është integruar në një botë tjetër dhe e adhuron Perëndimin. Ngjarjet e këtij dhjetëvjeçari i dëshmuan edhe atyre se pa ndihmën e aleatëve ushtarakë perëndimorë, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, populli ynë, shqiptarët e Ballkanit, nuk do të kishin fituar ato të drejta sovrane që përjetojnë sot në të gjitha zonat e banuara prej tyre. Rreziku terrorist bëri që në përfytyrimet politike të tyre Perëndimi dhe forca e tij e armatosur të shihet si një mburojë. Shqiptarët nuk janë popull luftarak, pavarësisht se çfarë thuhet në mitologjinë tonë politike. Ata kanë qejf kur dikush merr përsipër t’i mbrojë, pra e kanë qejf mbrojtjen prej një «vëllai të madh». Është e kuptueshme kjo gjë, po të mbajmë parasysh se ne kemi qenë në pozita disi të dobëta dhe inferiore midis popujve të tjerë të Ballkanit. Por gjendja tani ka ndryshuar tërësisht.

Çelësat e Ballkanit tani i mbajnë shqiptarët, pavarësisht se çelësat prej gjasme të qytetit të Tiranës, bashkia i fal miqësisht, pa qeder, personaliteteve të huaja që na vizitojnë nga shtetet fqinje.

Për një kohë kjo do të jetë kështu. Raportet midis popujve në Ballkan kanë ndryshuar shumë.

Ka ardhur ora e shqiptarëve.

Aleatët tanë perëndimorë këtë e kanë kuptuar shumë mirë.

Pra, edhe te e majta, ideja e një miku të largët për të na forcuar në «lagjen» tonë ka qenë një ide dhe strategji gjeopolitike e largët. Në fakt ajo është rrënjosur në mentalitetin kolektiv të shqiptarëve prej shekujsh. Mjafton t’i hidhni një sy historisë dhe do ta gjeni. Nuk kanë pasur rrugë tjetër.

Por ky ndryshim, le të jemi të sinqertë, ka filluar te e majta në sajë të politikës së Fatos Nanos, qysh në kohën kur ai ishte në pushtet. Mirë a keq, ai e bëri këtë hap veç të tjerave sepse kuptoi që në Shqipëri, si dikur, nuk mund të jesh i qëndrueshëm në pushtet nëse nuk ke aleanca të sakta në planin ndërkombëtar. Një pjesës e politikanëve shqiptarë tradicionalisht e kanë parë me shumë kujdes këtë aspekt, duke përdorur aleancat e jashtme për të pasur mbështetjen e jashtme në funksion të çimentimit të pushtetit politik të brendshëm. Edhe kjo sjellje është rrënjosur prej kohësh në memorien politike kolektive të politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë. Merrni Skënderbeun, Rilindasit, Ahmet Zogun, Enver Hoxhën, Fan Nolin, Haxhi Qamilin dhe do ta kuptoni këtë linjë që mbetet konstante pavarësisht se në çfarë kushtesh dhe rrethanash specifike realizohet ajo.

Pra, nuk mendoj se tani ka një ndryshim të çastit. Janë histori të largëta që shpjegojnë gjithçka. Midis pushtetit brenda vendit, dëshirës për sundim dhe përvetësimit të pushteteve globale, klasa politike shqiptare është ndodhur gjithmonë në mënyrë konstante, pra ka qenë gjithmonë e prirur për të mbajtur skeptrin e sundimtarit midis simbolit të Skënderbeut mbi kalë, monumenti sundues mbi sheshin qendror të Tiranës, rezistuese për të ruajtur pushtetin e saj, dhe asimiluese e kooperuese me fuqitë globale, pra ka lëvizur gjithmonë midis monumentit glorioz të luftëtarit mbi kalë për pushtet dhe xhamisë së bukur të Tiranës, simbol i një kulture globale të kohës.

Pushteti i Tiranës, për shumë arsye, nuk është i vetëmjaftueshëm.

Letra e Ramës është interesante. Mirë ka bërë që e ka shkruar. Ajo është shkruar brenda këtyre konteksteve historike dhe gjeopolitike. Nga njëra anë Rama paraqitet aty si lider kombëtar dhe jo thjesht si kryetar bashkie. Nga ana tjetër, ai shpreh pozicionin e tij me shkrim partnerëve që supozohet se do të jenë aleatët e tij në ditën e pritshme të pushtetit. Ai i heq qeverisë çdo mundësi kritike nesër apo vetëmburrjeje se anëtarësimi ishte pronë dhe borxh që i kemi vetëm njërit krah politik. Kurse në një rast të hidhur, të gjitha shigjetat do të shkonin kundër qeverisë. Sidoqoftë, pas kësaj lufta politike në Shqipëri do të marrë përmasa të reja, sepse viti 2009 po troket në derë. Nuk do të kemi një periudhë të qetë, mjaltë e arra, midis krahëve politikë.

3. Pasi opozita e bashkuar ka dalë në marshime për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, LSI, dy ditë më pas, në kushtet e një përmbytjeje të disa kateve me ujë në kryeqytet, ka formuluar akuza politike kundër Ramës. Cili është komenti juaj?

Opozita është e bashkuar kur është fjala për të dobësuar pozitat e partisë në pushtet. Por, ajo mbetet e ndarë kur është fjala për të forcuar pozitat e pjesëve të ndryshme të saj në rivalitetin e tyre për pushtet politik.

LSI ka gjetur një politikë të zgjuar kur bën edhe opozitën ndaj pushtetit qendror, edhe opozitën ndaj pushtetit lokal, sepse duhet thënë se Partia Socialiste është opozitë që ndodhet në pushtet në fortesën më të rëndësishme të pushtetit lokal.

Presioni i LSI-së do të mbetet natyrshëm në rendin e ditës, derisa socialistët të kuptojnë se nuk mund të bëjnë një ligj elektoral që në aleancë me partinë rivale, demokratikët, të jetë për një ligj elektoral që e cenon LSI–në. Por, me këto që ndodhën, LSI mbetet shumë aktive dhe në një aktivitet të plotë politik, kurse partitë homologe, të vogla në krahun e Partisë Demokratike, pas rrëshqitjes së Mediut, kanë mbetur pa ndonjë forcë dhe presin pasivisht se çfarë do të bëhet me fatin e tyre si pjesëmarrëse në qeveri. Gjykoj se Partia Demokratike ndodhet para një kontradikte, midis Skënderbeut dhe xhamisë. Edhe nuk i duhen shumë këta aleatë tani, por edhe nuk do t’i shtyjë aspak drejt kampit të kundërshtarëve të saj.

29/03/2008