Shansi i fundit për të rikthyer vlerat e 3 Korrikut
komente 31 Mars 2008Nga Mentor Beqa
Ftesa e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO duket se ka marrë viston zyrtare nga vendet anëtare të Aleancës, duke shmangur në këtë formë çdo ndikim që mund të vinte nga ngjarja e Grëdecit. Megjithëse për Shqipërinë, Gërdeci ishte një gjëmë e madhe në sytë e ndërkombëtarëve ajo ishte një ndodhi lokale. Formalizimi i ftesës zyrtare për Shqipërinë në Samitin e 4 Prillit do të tregojë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një akt më shumë gjeostrategjik i Aleancës sesa një shpërblesë për reformat që ka ndërmarrë Shqipëria. Gjithsesi, pas këtij samiti pritet që jeta politike në vend t’i rikthehet gjendjes së saj natyrale, jo falsitetit që e ka karakterizuar gjatë kësaj kohe kinse për shkak të një kompromisi për marrjen e kësaj ftese. Ligjërimi politik i opozitës pritet të ketë si kryefjalë tragjedinë e Gërdecit dhe kjo do ta shoqërojë maxhorancën aktuale deri në zgjedhjet e 2009-ës. Sali Berisha pas 4 Prillit ka shansin e fundit për të rikthyer dinjitetin e fitores së Korrikut të vitit 2005, nëpërmjet ndryshimeve të thella në qeveri dhe në qeverisje. Shqiptarët votuan në 2005 me një intuitë të drejtë me shpresën se qeveria e re do të luftonte kapjen e shtetit dhe korrupsionin administrativ. Sali Berisha është besuar nga votuesit si garant për luftën ndaj këtij korrupsioni. E djathta gjithashtu u votua edhe për shkak të prurjeve të reja që solli në politikën shqiptare; zhvendosjen e diskursit publik nga akuzat personale tek vlerat politike, nga personalizmi i betejave politike tek programet politike. E djathta e tre Korrikut ishte një shpresë për ndryshime rrënjësore në vend për shkak të programit që paraqiti dhe hapjes reale që tregoi Partia Demokratike nëpërmjet afrimit të të rinjve, rikthimit të themeluesve dhe faktorizimit të vlerave që ishin brenda Partisë Demokratike. Fytyra e kësaj të djathte hyri në betejën e 3 Korrikut dhe doli fituese. Por sa i ngjan e djathta e sotme saj që ishte fituese. Kryeministri Sali Berisha për arsye objektive thërrmoi pushtetin me partitë aleate duke ja vështirwsuar gjithnjë e më shumë realizimin e misionit vetë partisë fituese. Natyrshëm që votat e shumë aletave deri në vitin shkuar ishin të nevojshme. Shumica arriti të bënte ndryshime në institucionet më të rëndësishme në vend, si në KLD, Gjykatë Kushtetuese, Prokurorinë e Përgjithshme, madje arriti të kalojë edhe Presidentin e Republikës duke shmangur një krizë në mundshme. Por ndërsa këto suksese pa impakt të drejtëpërdrejtë tek publiku krijonin imazhin e një mazhorace të qëndrueshme, parcializimi i pushtetit gërryente mazhorancën derisa Gërdeci i dha goditjen e fundit këtij koalicioni. Shqiptarët me tre Korrik nuk votuan për Fatmir Mediun dhe do të ishte e pafalshme që Partia Demokratike të kalojë në opozitë prej Fatmir Mediut. Shqiptarët nuk votuan as për Genc Pollon që e trajton arsimin si kotec pulash, as për Nard Ndokën që sillet me mjekwt si me një skuadër futbolli. Shqiptarët votuan qartë për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën si garant në luftën ndaj korrupsionit. Kjo duhet reflektuar ditën e parë pas marrjes së ftesës në NATO. Sali Berisha tashmë ka mundësinë për të krijuar qeverinë që përfaqëson vlerat dhe njerëzit që sollën PD-në në pushtet. Kryeministrit i duhen vetëm 70+1 vota në parlament për të garantuar qeverinë, ndaj votat e tjera të aleatëve janë të panevojshme. Gërdeci ishte countdown-i për Partinë Demokratike dhe çdo vonesë për të ndryshuar metodën e qeverisjes dhe njerëzit që qeverisin do të ishin fatale për të dhe për vendin.