Nga Mentor Beqa  

Shqipëria po kalon formalisht në një epokë të re zhvillimi me anë të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe me detyrimin për të përmbushur një sërë normash të sanksionuara nga ky komunitet vendesh, por ende me një demokraci të brishtë, me institucione që funksionojnë keq dhe me një kulturë politike që bie ndesh me standardet e NATO-s si një komunitet kryesisht politik. Ditën e parë pasi të kemi marrë ftesën, kryeministri Sali Berisha do të kthehet në vend dhe Edi Rama do ta akuzojë për monument të korrupsionit. Po ashtu Sali Berisha do të akuzojë Edi Ramën për monument të korrupsionit në bashkinë e Tiranës dhe historia e vjetër sa vetë pluralizmi shqiptar do të rrokulliset pambarimisht në kokën e zbrazët të aktorëve politikë shqiptarë. Kjo lloj kulture politike është e huaj për thuajse të gjithë vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, me të cilat Shqipëria do të ulet në tryezën e gjelbërt, herë pas here me përfaqësues të delegjitimuar në sytë e shoqërisë, por të pandryshueshëm për shkak të mosfunksionimit të mekanizmit demokratik. Edi Rama i ngrehur nga ethet e pushtetit që e sheh të afërt e harroi nismën për një politikë të re dhe po bën as më shumë e as më pak,  atë që bënte Sali Berisha në opozitë, por në një moment edhe më të gabuar, në prag të evolucionit më të madh që ka përjetuar Shqipëria ndonjëherë. Edi Rama duket i impostuar si ska më keq, ndaj një reflektim i shpejtë do të rriste gjasat për të zbutur klimën politike dhe për të shtruar mundësitë e një zhvillimi më të shpejtë të vendit. Aktorët politikë shqiptarë, të verbuar nga ideja sa ai që akuzon më shumë për korrupsion, ka më shumë gjasa të fitojë, nuk kuptojnë se me anë të një diskursi të tillë politik, rrisin hendekun mes tyre dhe shoqërisë, duke i shndërruar ata në një tufë deledashë të harbuar për pushtet, pa as më të voglin preokupim për shoqërinë. Reksioni nga votuesit është mëse i kuptueshëm; rritje e numrit të votuesve që abstenojnë dhe rënie drastike e besueshmërisë tek aktorët politikë.  Kjo është një humbje e dyfishtë; humbje për vetë politikbërësit të cilët kanë si ushqim bazë votën e qytetërave, dhe humbje për grupet e interesit të shoqërisë, të cilët e kanë të kotë lobimin për të zgjidhur problemet. Rritja e distancës mes aktorëve politikë dhe shoqërisë që voton ka krijuar përshtypjen tek qytetarët se të bësh politikë është si të merresh me zanatin më të vjetër të njerëzimit dhe kjo dekurajon çdo njeri që e ka pasion politikën. Nga shqetësimi i parë prodhohet një tjetër shqetësim më i madh nga mosshqetësimi i aktorëve politikë për këtë shqetësim të shoqërisë. Indiferentizmi në rritje i vendimmarrësve për problemet që ngre opinioni publik po shndërron demokracinë e brishtë shqiptare në olikarki ku një grup i vogël njerëzish kontrollon të gjitha zhvillimet politike në vend. Nëse pjesa e paangazhuar e shoqërisë shqiptare do të arrinte të artikulohej, njëzëri do ta pohonin këtë shqetësim. Elita e paracaktuar shqiptare ka krijuar një qark të mbyllur zhvillimesh duke përjashtuar shoqërinë nga pjesëmarrja në këto zhvillime. Shndërrimi i zgjedhjeve të lira në një mekanizëm të verbër e ka shndërruar këtë elitë politike në një batak që po qelbet çdo ditë e më shumë. Zgjedhjet nuk duhen konceptuar thjesht si një formalitet për të justifikuar sistemin demokratik, por një realitet që formalizon përfaqësimin real të shoqërisë në vendim-marrje.