Himariotët ndjehen më mirë në polis-in grek
komente 17 Prill 2008Mentor Beqa
E vërteta, uni dhe identiteti janë të gjitha relacionale, jo relative, të qenësuara, jo të qenësishme. “Ne” dhe gjithçka që na bën “ne”, vazhdimisht qenësohemi në formën që jemi. Të qenurit është të vdekurit, të qenësuarit është vetë jeta. Ajo që shtyn motorin e të qenësuarit është ekzistenca e një shpirti të dytë; e tjetrit që nuk është unë. Njeriu i parë, Adami, u bë njeriu i parë, pasi erdhi për të ekzistuar shpirti i dytë. Aty nuk do të ketë kurrë një njeri të fundit. Një njeri pa njerëz të tjerë, nuk është më njeri. Në të vërtetë ai do të ishte zot. E vërteta e tij do të ishte absolute, uni i tij i gjithëfuqishëm, identiteti i tij i vetëpërcaktuar. Vetëm pak njerëz pretedojnë të jenë zota: të pagabueshëm, të domosdoshëm, të paprekshëm. Politika, në kuptimin që e përdorën grekët antikë të lidhur me termin “polis” - qyteti i jetës – është vendi ku gjejmë shpirtin e dytë, është vendi ku ne “qenësohemi”. E vërteta ka lindur dhe rilindur (në të dyja kuptimet) brenda kësaj “zone publike” ndërpersonale. Nëse kjo “zonë publike” është e dominuar nga ideologjitë totalitariane, ne bëhemi “një dhe të njejtë”. Ne kërrusemi nga forca centripete e politikës. Nëse kjo zonë publike është e dominuar nga anarkia, ne shkriftohemi deri në atë pikë sa të humbim marrëdhënien. Shpirti i dytë ekziston vetëm nëpërmjet marrëdhënies që ne krijojmë me njëri-tjetrin. Pa marrëdhënie nuk ka jetë. Mungesa e marrëdhënieve mund të shpjegojë shumë ndodhi në polis-in e çoroditur shqiptar, që nga debatet rrëmbimthi politike e deri tek revulucionari grek Vasil Bollano, të cilin kori i mërzitshëm i gjoja nacionalistëve shqiptarë na e ka shndërruar në ikonën e komunitetit grek në Shqipëri, fakt për të cilin më i mërzitur se kushdo tjetër duhet të ndjehet Vangjel Dule i PBDNJ-së. Por kur kori i diskursit publik merr vetëm një rrjedhë, atëherë dikush duhet të bëjë avokatin e djallit, jo në kuptimin metaforik, por në kuptimin e drejtëpërdrejtë. Pika në të cilën sumohet Bollano është se ai është mbrojtës i interesave greke, kërkon të formojë një zonë greke në jug të Shqipërisë në Himarë, ku realisht nuk ka minoritet grek, por shqiptar thuajse të greqizuar për shkaqe ekonomike. Vasil Bollano është në të drejtën e Zotit të kërkojë pavarësinë e një zone që në ëndrrat e tij është Epiri i Veriut, edhe mua po të më tekej do të krijoja një organizate me qëllim krijimin e Republikës së Mirditës, çfarë dëmi do të shkarkonte kjo?! Në një sistem demokratik liria e shprehjes dhe angazhimit politik është e garantuar, përndryshe Umberto Bossi në Itali duhet të ishte futur 20 herë në burg se kërkon shkëputjen e Italisë së Veriut. Ëndrra të kësaj natyre mund t’i lindin gjithsecilit prej nesh, por sistemi normon mënyrën se si vihen në jetë angazhimet politike dhe Vasil Bollano kapet gafil sot e gjithë ditën. Mediokrizimi i debatit nga kinse nacionalistët shqiptar i jep një armë të fortë në dorë Vasil Bollanos. Diskursi publik duhet të fokuset pikërisht tek mënyra se si Bollano kërkon të vërë në jetë tezat e tij. Ai është i lirë të shprehë angazhimin e tij politik qoftë edhe për krijimin e asaj që e quan Epiri i Veriut, por më parë duhet të bindë të gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë se ai ka të drejtë dhe bindja në një sistem demokratik testohet me vota, e nëse këtë e realizon le ta shpallë Epirin e tij. Bollano duhet të futet në burg jo se ka këtë ambicie, e cila është krejt legjitime, por nëse ka fyer apo nxitur urrejtje ndaj kombit shqiptar, ka fyer flamurin apo simbolet e shtetit shqiptar, apo ka sulmuar institucionet e shtetit shqiptar. Këto janë forma antidemokratike për të vënë në jetë një qëllim politik, dhe nëse rezulton se Bollano ka konsumuar qoftë edhe një prej këtyre delikteve ai duhet tu bashkohet atyre që kanë thyer ligjet e shtetit shqiptar. Por problemi mbetet diku gjetkë. Ne i kemi dhënë një armë në dorë Vasil Bollanos! I kemi dhënë një Himarë të varfër, një Himarë me një bukuri të rrallë natyrore, por me një infrastrukturë të shekullit të 19-të. Një Himarë me shqiptarë të sfilitur nga mungesa e shtetit të tyre. Një Himarë me shqiptarë të përjashtuar nga marrëdhënia me shtetin e tyre. Një Himarë me shqiptarë që ndjehen më mirë në polis-in grek se në polis-in shqiptarë. Ajo që mund të bëjmë më mirë sesa të ulërasim për Himarën që po na greqizohet është; t’i bëjmë ato himariotë të ndjehen më mirë në polis-in tonë sesa në atë athiniot.