Një lexim normal i një vote anormale
komente 23 Prill 2008Mentor Beqa
Votimi në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese shënoi dhe diskretitimin përfundimtar të partive të vogla aleate të Partisë Demokratike. Deputetët e këtyre partive, pasi kishin nxjerrë zjarr nga goja për muaj me rradhë për mosmiratimin e një sistemi të tillë zgjedhor, pas një takimi me kryeministrin Berisha, u nisën si dele të buta drejt parlamentit dhe dhanë votën e tyre për të miratuar një sistem që në një fushë të ndershme beteje i varros politikisht. Një lexim normal i kësaj vote anormale tregon për ekzistencën e kotë të këtyre partive për 16 vjet me rradhë. Këto parti kanë qenë një kosto e madhe për shoqërinë shqiptare dhe nuk kanë luajtuar asnjë prej roleve që kishin në ngjizje; ata nuk përfaqësuan asnjë grup interesi, nuk e bënë më plurale skenën politike, përkundrazi mbajtën peng zhvillimin e vendit në shumë raste, duke përdorur numrat në parlament si shpata e Domokleut mbi kokën e kryeministrit. Votimi në Kuvend tregoi se prania e tyre në politikë lidhej thjesht e ngushtësisht me interesa personale të disa individëve që jetojnë si vemje në trupin e shoqërisë shqiptare. Është një lajm i mirë që këto parti s’do të kenë gjasa të mbijetojnë në zgjedhjet e 2009-ës, por do të ishte një lajm i keq nëse Sali Berisha do të mbante në politikë këta individë me votat e Partisë Demokratike. Kaq! Për këto soj partizëzash nuk ja vlen të flasësh më gjatë. Për Kushtetutën po! Është dokumenti themeltar i shtetit që reflekton kontratën e shoqërisë për sistemin politik, por nga votimi në Kuvend nuk u trajtua aspak si e tillë. Kushtetuta u shpall “armik i popullit” dhe u ndryshua si të ishte hartim i një nxënësi të keq. Institucioni i Presidentit të Republikës, simbolit të sovranit, përfaqësuesit të kombit, u bë po aq vulnerabël sa edhe institucioni i një ministri. Shumëkush po e interpreton si një lëvizje kundër presidentit Bamir Topi? Sa mirë sikur të ishte vetëm kaq! Diskursi banalizohet sapo fillon të përqendrohet në emra konkret. Këtu kemi të bëjmë me një agresion kundër harmonisë së sistemit. Argumenti kryesor për ndryshimin e nenit që kërkonte një shumicë të cilësuar për zgjedhjen e presidentit , ishte se ai krijonte kriza dhe e fuste vendin në një kolaps politik! Kjo është një ndër gjërat më të pavërteta. Kushtetuta detyronte aktorët politikë që të bëheshin të përgjegjshëm dhe të mos i hynin një aventure të gjatë që do e çonte vendin dy herë në zgjedhje. Parlamentarët ishin të detyruar të gjenin konsensusin për të zgjedhur kreun e shtetit edhe në parim, pasi do të ishte papërgjegjshmëri e madhe një tallje e tillë me vendin, por edhe në aspektin pragmatik pasi në mes të një madati politik pak partive u intereson të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Cilësimi i një shumice të tillë impononte përgjegjshmëri tek aktorët politikë dhe e bënte të domosdoshëm kompromisin. Sipas teorisë që e mbron këtë ndryshim, sistemi politik dhe kushtetuta duhet ti përshtaten aktorëve politikë dhe jo këta të fundit sistemit. Në vijim i bie, meqë zgjedhjet në Shqipëri manipulohen, le të mos bëjmë fare zgjedhje, por të ndërtojmë qeverinë me kokë a pilë. Kjo nuk është aspak serioze. Le të kthehemi disa vite pas. Në vitin 2002, Partia Socialiste u detyrua të hynte në negociata me Partinë Demokratike që të zgjidhte një President konsensual, pasi nuk kishte 84 vota legjitime në parlament. Ishte pikërisht ky nen që shpëtoi vendin nga pushtimi i njëanshëm i të gjitha institucioneve. Si është e mundur që pikërisht ky nen tani na është shndërruar në bezdinë e madhe kombëtare. Zgjedhja me shumicë të thjeshtë e presidentit e shkarkon atë nga mundësia për të qenë garant i kushtetutës dhe funksionimit të sistemit. Shembulli që huazohet përçart nga Italia a diku gjetkë nuk përkon asfare me ne. Italia e zgjedh Presidentin me shumicë të thjeshtë, por ka edhe një tjetër gardian të sistemit që është senati. Ne nuk e kemi këtë dhe i vetmi institucion që ruan ekuilibrat është Presidenti. Banalizimi i këtij institucioni banalizon të gjithë sistemin. Ky ishte i vetmi lajm i keq nga ai votim anormal në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.