Ekuilibri
komente 25 Prill 2008Mentor Beqa
Demokracitë e avancuara krijojnë një sërë instrumentesh të balancimit dhe kontrollit për të ruajtur ndërvarësinë e pushteteve të ndryshme për të siguruar lirinë e qytetarëve vis-à-vis ndaj tendencave centralizuese të shtetit. Tre pushtetet moderne (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), fuqia promoderne, burokracia, (në veçanti administrata publike) dhe pushteti postmodern, media, janë të gjitha të kontrolluara nëpërmjet një ekuilibri delikat. Asnjëri prej këtyre pushteteve supozohet që të mos ketë dominancë të kontrolloj, zëvendësoj, apo nënshtroj pushtetin tjetër. Qëkështu nuk ka hierarki pushtetesh në një demokraci të pjekur. Post-modernët mund t’i japin përparësi medias e po kështu pre-modernistët mund të bëjnë të njejtën gjë me burokracinë. Udhëheqja e parë të çon në anarki, shtet populist ose “boss-ocracy” referuar atyre që zotërojnë mediat, e dyta tek meritokracia (ose thënë ndryshe tek elitokracia burokratike) dhe në të dyja rastet përfundojmë në diktaturë. Asnjëra prej tyre nuk është demokratike. Të gjithë këto pushtete megjithëse në forma të ndryshme nga njëri-tjetri marrin sovranitet nga populli, legjitimiteti i tyre buron nga qytetarët. Një legjislativ që nuk merr mbështetje të mjaftueshme në zgjedhje apo që humbet mbështetjen nuk mund të funksionojë dhe pikërisht ky mosfunksionim u jep ftesë pushteteve të tjera të ndërhyjnë. Nëse ekzekutivi humb legjitimitetin në sytë e qytetarëve apo ka humbur mundësinë për të qeverisur, të tjerët e shpërndajnë. Nëse sistemi gjyqësor humbet besueshmërinë dhe prestigjin në sytë e qytetarëve, disa i referohen mekanizmit të vjetër për të pezulluar korpusin e të drejtave deri në zgjidhjen e problemit, ndërsa disa të tjerë i mëshojnë zgjidhjeve administrative brenda sistemit. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është një balancim i qartë i pushteteve, as një përplasje e pushteteve, por më keq një turbullim i pushteteve. Pushtetet po humbasin legjitimitetin. Organi legjislativ, parlamenti u konstitua në 2005 me një mbështetje të madhe popullore, dhe tani as tre vjet më pas çfarë panorame kemi?! Trafik i pandarë deputetësh, lëvizje sa andej-këndej për interesa të vogla private, tradhti ndaj parimeve që i solli në parlament, ulje drastike e besueshmërisë së qytetarëve tek ligjvënësit, kompromise aspak transparente për puçe institucionale. Marrëveshje për të zgjidhur problemet e partive apo liderëve të partive, por jo një punë e përbashkët për tu dhënë zgjidhje problemeve të qytetarëve që i mandatuan. Ekzekutivi është gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm sesa vota ka në parlament. Efiçenca sakrifikohet për hir të llogarive politike. Aleancat nuk funksionojnë si një bashkim energjish për të çliruar energji e produkt pozitiv, por si një marrëdhënie në një gjendje shantazhi të vazhdueshëm. Qeveria mbetet peng i fragmetarizimit për shkak të kësaj aleance që në thelb ka interesat private të kryetarëve të partive të vogla, sesa interesin e përgjithshëm publik. Po gjyqësori po funksionon mirë?! Një miku im avokat, njohës i shkëlqyer i ligjit ishte në hall të madh, sepse nuk ka aftësinë e të qenit sekser. Kriteret kryesore për të pasur një gjyqësor normal janë besueshmëria dhe prestigji, ndërsa gjyqësori shqiptarë përballet me të drejtë me një humbje të plotë të besueshmërisë dhe prestigjit. Media-show që bën institucioni kulmor i gjyqësorit është i destinuar të mos ketë sukses, sepse e vërteta nuk prodhohet nga media, por raportohet nga ajo. Media… “Boss-okracy” shpresojmë të mbetet thjesht një term teorik në ligjërimin politik. Në Shqipëri ka shenja të forta se nuk do të mbetet i tillë.. Si përfundim, kulmi i piramidës mund të mbante diçiturën “elita të korruptuara që riprodhojnë vetveten”