Sali Berisha në ishullin e paragjykimit
komente 29 Prill 2008Mentor Beqa
Sali Berisha mesa duket është i dënuar të jetë gjithnjë i paragjykuar si një njeri me tendenca autoritariste që çojnë në përqendrimin e pushteteve në një dorë. Çdo reformë që është bërë e nxitur nga kryeministri apo që është paralajmëruar është paragjykuar në opinionin publik si një tentativë e Sali Berishës për të akumuluar më shumë pushtet. Ky pretendim argumentohet në mënyrën më të mirë të mundshme me diskursin që pasoi amendimet në Kushtetutë. Partitë e vogla të majta dhe opinionistët e interpretuan atë si lëvizje e Sali Berishës për të marrë nën kontroll institucionin e Presidentit të Republikës dhe nëpërmjet tij institucionet e tjera të vendit që kryeqëzohen tek kreu i shtetit. Pavarësisht faktit se ndryshimi i modalitetit të zgjedhjes së Presidentit e dobëson dukshëm këtë institucion, askush nuk mori mundimin për të analizuar përfituesin më të madh të ndryshimeve kushtetuese. Ndonëse publikisht shpeshherë shohim grricje brenda Partisë Demokratike, Sali Berisha mbetet kryetari i padiskutueshëm i asaj partie duke pasur nën kontroll të gjitha flukset që gjallojnë brenda saj. Përkundër kësaj panorame, Edi Rama ka një status të brishtë brenda Partisë Socialiste dhe është i ekspozuar përballë çdo lëkundje që mund të ndodhë brenda saj. Fraksionimi i heshtur i PS-së dhe përplasja mes xhaketave të vjetra dhe xhaketave të reja mban nën një shantazh të vazhdueshëm kreun e PS-së. Parë në këtë dritë, ndryshimet kushtetuese i shkojnë më përshtat se çdokujt tjetër, Edi Ramës. Në këtë formë ai çimenton pozicionin e tij në Partinë Socialiste duke pasur në dorë monopolin e përcaktimit të deputetëve dhe në rast të një fitoreje të mundshme edhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Shitja publike e këtyre amendimeve si një vijimësi e tendencës së kahershme të Sali Berishës për të shtënë në dorë institucionet shtetërore është thjesht një përpjekje për të fshehur përfituesin real të ndryshimeve. Paragjykime të kësaj natyre kanë shoqëruar Sali Berishën që në momentin kur u pa si një fitues i mundshëm i zgjedhjeve të 2005-ës, që ditën e parë kur është ulur në karrigen e kryeministrit, e mesa duket do ta shoqërojnë deri në momentin kur do të lërë politikën aktive. Kjo paranojë publike ka detyruar Sali Berishën të heqë dorë edhe nga një sërë reformash të domosdoshme për vendin, siç dhe është reforma në institucionet e sigurisë kombëtare. Kryeministri do ta kishte shumë të lehtë politikisht të ndërmerrte një reformë në Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili ka degraduar në një zyrë gjobash, por elita e majtë do të anagazhonte të gjitha potencialet e diskursit publik për të treguar me gisht se Sali Berisha është ai i viteve 92’-97’. Rasti i SHISH-it nuk është rasti i vetëm, mjafton të kujtojmë se Sali Berisha ka shpenzuar dy vjet investim politik për të hequr Dhori Sollakun. Konkluzioni; prokuroria sot është më e mirë se ç’ishte më parë, por kjo nuk mjafton pasi paragjykimi rreth Sali Berishës është shndërruar në instrument politik. Media të majta dhe adrenalina e andreave vazhdojnë t’i mëshojnë historive mitike të Shqipërisë së 92’-97’. Sali Berisha duhet të perceptohet nga shqiptarët doemos me parametrat e qeverisjes së tij të parë dhe për të realizuar këtë është angazhuar e gjithë infrastruktura e elitës së majtë. Rikthehen në forma mitike bëmat e SHIK-ut, bëmat e Sali Berishës me Kushtetutën “mbretërore”, inskenohen turbullira me fantazma greke, arrestime vlonjatësh që i serviren kryeministrit si shpata e Damokleut e soj e soj ndodhish të fabrikuara. Sali Berisha mbahet i mbyllur në një ishull paragjykimesh dhe e gjithë vëmendja është e përqendruar aty, ndërsa nga ana tjetër, heshturazi, jashtë vëmendje së opinionit publik po rritet një individ me probleme serioze me personalitetin intim dhe një politikan me probleme serioze me personalitetin publik, atëherë do të shohim se kush është autoritaristi i vërtetë.