Edi Rama mes gjithçkasë dhe asgjësë
komente 2 Maj 2008Mentor Beqa
Amendimi i Kushtetutës përsa i përket sistemit zgjedhor dhe metodologjisë së zgjedhjes së Presidentit, ngurtësimi i Partisë Socialiste që prej ardhjes në krye të saj të Edi Ramës, humbja e mundësisë për një marrëveshje mes aleatëve të majtë dhe shumë lëvizje të tjera tregojnë se kryesocailisti Edi Rama po bën një lojë politike që në rastin më të mirë synon të fitojë gjithçka ndërsa në rastin më të keq të humbasë gjithçka. Kjo ndoshta është ndër të paktat beteja politike që nuk ka një të ndërmjetme, ku edhe mund të fitosh, edhe mund të humbasësh. Projekti i Edi Ramës në këtë pikë duket i qartë; për të realizuar “vizionin” e tij ai kërkon të ketë gjithçka nën kontroll (nëse do të fitojë zgjedhjet), parlamentin e ardhshëm, një qeveri pa paterica të majta, rrugën e lirë për të zgjedhur një president me shumicë të thjeshtë, dorë të lirë për tu përzier në punët e institucioneve që tejkalojnë legjitimitetin e një maxhorance politike e deri tek kompromiset e dyshimta “underground” me median apo struktura të tjera shoqërore të lobimit.
Indiciet e deritanishme janë të mjaftueshme për të ndërtuar një prognozë të asaj që Edi Rama mendon se do të bëjë nëse “fati” do të jetë në anën e tij.Edi Rama nuk ka gjasa, të paktën para zgjedhjeve, të negociojë me LSI-në e Ilir Metës, pasi ai dëshiron dhe synon me forcë të fitojë i vetëm zgjedhjet. E gjithë skema e ndërtuar nga Edi Rama tregon se Partia Socialiste do të luajë si një aktor i vetëm duke marrë parasysh faktin se nga dëshira për të fituar gjithçka, mund të humbasë gjithçka. Marrëdhënia Rama-Meta duket pa aq e pamundur sa marrëdhënia Berisha-Meta dhe e vetmja formë për të shpëtuar nga sikleti i negociomit me Ilir Metën, është një truk i vogël në kodin zgjedhor që pritet të hartohet.
Ndarja e zonave
Ndarja e zonave zgjedhore shumëemërore është një moment shumë i rëndësishëm i mekanizmit teknik të sistemit zgjedhor. Sa më e madhe të jetë zona dhe për pasojë sa më shumë emra kandidatësh në listën shumëemërore, aq më i vogël pragu elektoral dhe për pasojë aq më shumë mundësi për partitë e vogla të marrin deputetë, veçanërisht Lëvizja Socialiste për Integrim. Sa më e vogël të jetë zona zgjedhore shumëemërore, aq më i lartë pragu elektoral dhe aq më pak mundësi për partitë e vogla të grumbullojnë numrin e nevojshëm të votave për tu përfaqësuar në parlament. Deri tani ka dy variante për zgjedhjen e zonave zgjedhore shumëemërore; varianti i parë është ndarja administrative në rang qarku, çka e bën të pashmangshme prezencën e LSI-së në parlament, madje me shumë gjasa votat e saj do të jenë çelësi i qeverisë së ardhshme, varianti i dytë është ndarja administrative më e vogël në rang rrethi, e cila e dëmton më shumë LSI-në dhe mund ta lërë atë me një përfaqësim minimal në parlament. Në rastin e dytë do të jenë partitë fituese që do të kenë mundësinë e ndërtimit të qeverisë pa iu përgjigjur kushteve të partive të vogla. Gjithsesi, ndarja e zonave nuk do të jetë faktori vendimtar që do të japë panoramën e votave pas zgjedhjeve.
Orientimi i votave
Një tjetër faktor shumë i rëndësishëm është orientimi i votave, dhe në këtë rast negociatori i fituar është Sali Berisha. Edi Rama nën ethet e miratimit të këtij sistemi zgjedhor nuk u kujdes për të gjetur mundësinë e bashkëpunimit me partitë e vogla të së majtës, duke krijuar një çarje të parikuperueshme të koalicionit të majtë. Sali Berisha, nga ana tjetër arriti përkundër të gjitha parashikimeve, të gjejë kompromisin me partitë e tij aleate në momentin e fundit. Ndërsa të gjithë mendonin se partitë e vogla të së djathtës do të votonin kundër amendimeve në Kushtetutë, një takim një orë para votimit prishi të gjithë skemën, duke e kaluar sërish sistemin në favor të kryeministrit Berisha. Ku qëndron rëndësia që në këtë sistem zgjedhor të mos ketë ndarje të votave?! Supozojmë se Partia Socialiste dhe partitë e tjera të majta do të hyjnë të ndara në zgjedhje. Votat që do të marrin partitë e vogla natyrisht që rrjedhin nga trupa e votuesve të majtë, në momentin që këto parti mbeten poshtë pragut elektoral qoftë edhe për një votë të vetme, atëherë e gjithë sasia e votave të grumbulluara digjen, ndërsa ngelin të vlefshme vetëm votat që ka marrë partia që ka kaluar pragun elektoral. Kjo do të thotë se në shumicën e zonave zgjedhore, për shkak të ndarjes së thellë PS-LSI, e majta do të humbasë një numër të madh votash, të cilat në rastin e një të majte të bashkuar do të ishin vota të numërueshme. Parimi është i kuptueshëm; sa më shumë vota të vlefshme aq më shumë deputetë, sa më shumë vota të djegura aq më pak deputetë. E kundërta do të ndodhë me të djathtën. Gjasat janë që Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje me një marrëveshje parazgjedhore. Dukeqenë të bashkuar, partitë e djathta do të kenë një sasi minimale votash të djegura. Megjithëse sistemi i ri zgjedhor ndalon fenomenin e “Dushkut”, nuk shmang plotësisht orientimin e votave, por me një ndryshim substancial. Ky lloj orientimi nuk transformon përfaqësimin ose thënë ndryshe nuk rrit a priori përfaqësimin në parlament, por krijon mundësinë që nëpërmjet orientimit të votave të mos digjen votat. Më konkretisht Partia Demokratike do të ketë mundësi që në zonat ku rrezikon të ketë një numër të madh votash të humbura t’i orientojë ato drejt partive aleate duke i kthyer ato në përfaqësim në parlament. Ndërsa Partia Socialiste, nisur nga rrethanat ku ndodhet e majta, jo vetëm nuk do të ketë mundësi që të orientojë votat që rrezikon të humbasë, por partitë e vogla nëpërmjet marrjes së votave do të rrisin numrin e votave të panumërueshme. Nisur nga këto argumenta, rezulton se Edi Rama i tunduar nga dëshira për të fituar gjithçka me shumë gjasa do të humbasë gjithçka. Pavarësisht faktit se aktorët politikë dhe opinioni publik duket ende i turbulluar përsa i përket efekteve të sistemit të ri zgjedhor dhe përfituesve real të këtij sistemi, e majta duket se ka hyrë në një përplasje të pakthyeshme duke ia bërë edhe më të vështirë vetes ambicien e 2009-ës.