Rritja e korrupsionit, perceptim apo realitet
komente 8 Maj 2008Mentor Beqa
IDRA publikoi një sondazh dramatik për rritjen e perceptimit të korrupsionit në vend brenda një viti, ndërsa nuk ka ndonjë të dhënë serioze nëse ky sondazh thjesht nxjerr në pah perceptimin e qytetarëve apo tregon shkallën reale të rritjes së korrupsionit. Sondazhi në raport me sondimet e tjera nuk sjell ndonjë surprizë apo risi, pasi reflekton të njejtin perceptim për sektorët më të korruptuar në vend, ndërsa tregon qartazi dështimin e qeverisë më shumë se në luftën ndaj korrupsionit, në betejën për të bindur qytetarët se lufta ndaj korrupsionit funksionon. Sondazhi i IDRA-së meriton një vështrim më kompleks për të gjetur arsyet se përse qytetarët shqiptarë mendojnë se korrupsioni është rritur. Sipas të dhënave të sondazhit rezulton se institucionet më të prekura nga korrupsioni janë gjykatat dhe ministritë ndërsa më pak institucionet fetare dhe media. Nuk është ndonjë zbulim i madh pasi kategoria e parë administron fonde publike, ndërsa kategoria e dytë jo. Është e domosdoshme që korrupsionin ta kuptojmë si abuzim me fondet publike apo detyrën publike që çon në deformim të vendim-marrjes. Në këtë kuptim, është mëse e kuptueshme që media, institucionet fetare, OJF-të dhe institucione të tjera të rezultojnë si më pak të korruptuara në perceptimin e qytetarëve. Një tjetër argument që ka ndikuar në këtë perceptim është edhe transparenca në rritje mbi aktet korruptive. Shqipëria e 2008-ës as që mund të krahasohet me Shqipërinë e para 2005-ës përsa i përket aksesit në informacion nga ana e qytetarëve. Në dukje publikimi me bujë i luftës kundër korrupsionit ka ndikuar në të kundërt të asaj çka mendohej. Qytetarët rastet korruptive të publikuara i kanë perceptuar si rritje e korrupsionit, megjithëse de facto ky korrupsion ka ekzistruar, por mundësia për të qenë në dijeni të tij ka qenë më e vogël. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe media. Perceptimet publike krijohen me anë të informomimit nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv apo nëpërmjet përvojave personale. Dukeqenëse 92 përqind e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është i lartë, atëherë është më e pranueshme të mendojmë se ky perceptim është krijuar nëpërmjet informacionit që serviret nga media dhe sot media është shumë herë më e lirë se para vitit 2005 për të denoncuar apo spekuluar mbi faktet e denoncuara. Marrëdhëniet klienteliste të qeverisë me median janë sot më të kufizuara se ato të qeverisë socialiste e për pasojë media është më e çliruar nga trsysnia e pushtetit. Një tjetër fakt që mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e perceptimit të qytetarëve në raport me korrupsionin është edhe mjegullnaja e krijuar rreth të vërtetës. Sot, në shoqërinë shqiptare është e pamundur të ndash një informacion të vërtetë nga një informacion i rremë. Gjithkush ka të drejtë të akuzojë dhe të akuzohet, por asnjëri nuk ndëshkohet si gënjeshtar apo i korruptuar. Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë ka bërë që shoqëria shqiptare të funksionojë nëpërmjet thashethemeve, duke e bërë të vështirë korrektësinë shkencore të sondazheve. Pa vënë në dyshim saktësinë e sondazhit të IDRA-së, kush mund të thotë se ndërmjet atyre 1200 të intervistuarve shumica nuk janë nga ata që deklarojnë se korrupsioni është rritur, për shkak se ajo çka ata receptojnë nga mediat, i bën të mendojnë në atë formë?! Natyrisht që perceptimi nuk është i barabartë me realitetin, por ka edhe një fakt tjetër që e bën shumë të vështirë ndryshimin e tij. Perceptimi është imazh dhe si i tillë duhet shumë kohë që një institucion i korruptuar të mos tingëllojë si i tillë edhe nëse ai nuk është më i korruptuar. Gjithsesi, të dhënat e sondazhit të IDRA-së duhet të vënë në lëvizje qeverinë shqiptare për ta parë luftën ndaj korrupsionit, jo si një angazhim me fushata frikësimi, por si një detyrim për të ndërtuar një sistem që minimizon mundësinë për korrupsion, ndërsa shoqëria shqiptare si një moment për reflektim dhe ndërgjegjësim se disa vlera morale të përgjumura janë lufta më e mirë ndaj korrupsionit.