Beteja e re për Edi Ramën
komente 14 Maj 2008Mentor Beqa
Kur politika nuk kuptohet si parim, ajo degradon në trafik individësh e influencash pa nuanca ideopolitike. Shembulli më i mirë i këtij degradimi është ajo që ka ndodhur dhe po ndodh me demokristianët, por si joparti që është nuk ja vlen ta kthesh në objekt të diskursit publik. Përkundrazi, ja vlen të analizosh atë që po ndodh mes Partisë Socialiste dhe LSI-së si dhe mënyrën se si kryesocialisti Rama do të arrijë të menaxhojë rrethanat e reja politike në të cilat ndodhet ai dhe partia e tij, përkundër revanshit të Ilir Metës me stilin e vjetër ligjërimor, që për hir të së vërtetës ka shërbyer shpesh herë për të “larë hesapet” brenda së majtës. Së pari, duhet të sqarojmë dykuptimësinë e politikës si perceptim nga aktorët politikë dhe elektorati politikë si dy perceptime rrënjësisht të ndryshme përsa i përket aksionit politik. Të parët e perceptojnë politikën si harmonizim i shanseve dhe mundësive për të akumuluar pushtet, ndërsa të dytët si një formë e anagazhimit të tërthortë për të përmirësuar jetesën. Parë në këtë prizëm, marrëdhënia e pamundur e Ilir Metës me Edi Ramën, nuk lidhet me ndonjë parim të politikës, si art i gjërave të mundshme, i mundësive për të krijuar shanse dhe mundësi më të mira për qytetarët, por me natyrën e rrethanave të krijuara, përsa i përket mundësive dhe shanseve për të akumuluar pushtet, të cilat shkojnë në favor të njërit dhe në disfavor të tjetrit. Thënë këtë, Ilir Meta po bën një përpjekje për të kthyer “padrejtësinë” që i është bërë në përcaktimin e rregullave të lojës, nëpërmjet artikulimit të një kauze të drejtë (amendimi i Kushtetutës) në burim force që do t’i krijonte mundësinë për të mbledhur më shumë vota në zgjedhjet e 2009-ës. Ilir Meta, si një socialist i vjetër, e ka kuptuar shumë mirë natyrën e ngurtë të trupës elektorale të Partisë Socialiste. Kjo trupë elektorale është formësuar nga një proces i gjatë historik që me krijimin e Partisë Komuniste, me Partinë e Punës dhe më tej me ndryshimin e emrit të kësaj partie në rrethanat e reja politike pas vitit 1991. Është e vështirë të gjesh sot një anëtar të Partisë Socialiste që të mos ketë qenë atëbotë anëtar i kësaj partie ose në rastin më optimist të mos rrjedh nga ajo “familje e madhe” e ploretariatit. Trupa elektorale e kësaj partie ka halë në sy ‘tradhëtinë ndaj idealeve socialiste”. Në mungesë të një orientimi politik, në kaosin ideologjik të krijuar në të majtë pas shembjes së rendit socialist, trupa elektorale socialiste në Shqipëri filloi kryesisht të identifikohej me anti-berishizmin, si një formë e re e pozicionimit politik në mungesë të ideologjisë së dështuar. Nëpërmjet kësaj do të mund të kuptonim kryqëzimin që iu bë ish kryeministrit Pandeli Majko nga ana e aktorëve politikë të Partisë Socialiste. Majkos, më shumë se gjithçka tjetër asokohe i kushtoi dhënia e dorës kryeopozitarit Sali Berisha, i cili perceptohej dhe mesa duket vazhdon të perceptohet nga socialistët si armik në kuptimin e plotë të fjalës. Takimi i Pandeli Majkos me Sali Berishën u instrumentalizua nga Fatos Nano dhe bëri që të ndryshonte ekuilibrat në Partinë Socialiste, të cilat anonin në atë kohë nga Pandeli Majko. E njejta gjë ka ndodhur më vonë por me personazhe në invers. Pikërisht Fatos Nano u demaskua si tradhëtar i idealeve të majta, vetëm se bëri kompromis me Sali Berishën, duke ia bërë të pamundur vetes riangazhimin aktiv politik në Partinë Socialiste. Rrethanat e tanishme nuk janë të njejta, por të paktën janë të ngjashme. Trupa elektorale e PS-së ende nuk ka krijuar bindjen se Edi Rama është një prej tyre dhe kjo për shumë arsye, duke përfshirë; angazhimin e çuditshëm politik të zotit Rama në fillim të viteve 90’, artikulimin joideologjik përgjatë karrierës së tij politike dhe së fundmi klimën miqësore të krijuar me kryeministrin Sali Berisha. Kjo rrjedhë që kanë marrë rrethanat politike mund të çojnë ujë në mullirin e Ilir Metës, i cili pret prej kohësh mundësinë e parë për të dobësuar pozitat e zotit Rama në raport me elektoratin e majtë. Ashpërsimi i fjalorit politik të kreut të LSI-së më shumë se mbrojtjen e Kushtetutës synon të krijojë një çarje tjetër ndërmjet Edi Ramës dhe anëtarëve të Partisë Socialiste dhe për rrjedhojë devijimin e këtij elektorati nga Partia Socialiste tek LSI-ja. Për më shumë, këto rrethana do të ishin fatale për Edi Ramën nëse ai do të marrë një rezultat negativ në zgjedhjet e 2009-ës, gjithsesi duhet pritur ër të parë se si do të menaxhojë situatën kryesocialisti, i cili ka mundësi të tregojë kualitet politik vetëm nëpërmjet ngritjes në rrethana të vështira. Kjo është veti e burrave të shtetit, çka zoti Rama në dukje nuk e ka!
15 Maj 2008 më 12:22 pm
Po sikur dialogu Berluskoni-Veltroni të japë rezultate në panoramën politiko/shoqërore/ekonomike italjane, a do të konsiderohej më “marveshja” Berisha-Rama si takim mes “armiqsh” dhe për tu dënuar????