Mentor Beqa   

Referendumi është ndoshta instrumenti i vetëm i mbetur i ushtrimit të demokracisë së drejtëpërdrejtë, pra i shprehjes së vullnetit të popullit për çështje që konsiderohen të rëndësisë së veçantë. Shqipëria është përballur dy herë me referendume që kanë pasur në fokus Kushtetutën e vendit, ndërsa ende deri më sot nuk është thirrur sovrani për tu konsultuar për çështje që kanë impakt të drejtëpërdrejtë në jetën e tij, ashtu siç ndodh në vende me demokraci të zhvilluar.  Edhe referendumi i tretë në tentativë thirret për të vendosur qytetarët në lidhje me disa ndryshime teknike kushtetuese, të cilat zor se perceptohen qartë nga të thirrurit për referendum. Po çështje që mund të diskutohet në këtë situatë të krijuar, ku gjasat për referendum duken minimale për shkak të mundësive ligjore që ka, është pikërisht interesi i iniciatorit të këtij debati, Ilir Metës, për zhvillimin e referendumit ose jo.

 Kryetarit të LSI-së duket se i kanë ardhur në ndihmë kushtet politike të krijuara në vend pas miratimit të amendimeve të Kushtetutës. Humbja që do t’i shkaktojë sistemi zgjedhor i miratuar nga dy partitë e mëdha ka gjasa të kompensohet nga instrumentalizimi i një kauze politike që në sytë e qytetarit është e drejtë. Shtuar kësaj edhe bashkimin e disa aktivistëve të shoqërisë civile, të cilët drei para ndryshimeve kushtetuese kishin dhënë një mbështetje a priori për çdo lëlvizje të kryesocialistit Edi Rama, rriten mundësitë për të akumuluar më shumë kapital politik.  

Së pari, çfarë fiton Ilir Meta nëse referendumi zhvillohet?! Një element shumë i rëndësishëm për të ndihmuar në këtë analizë është koha! Nëse do të zhvillohet ky referendum, kur mund të zhvillohet? Sipas të gjitha mundësive i bie të zhvillohet ose në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ose bashkë me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ilir Meta fiton nga kjo, plus garës së përhershme elektorale, edhe një kauzë tjetër në dorë për të deligjitimuar në sytë e elektoratit, më shumë se Sali Berishën, vetë Edi Ramën, pasi do ta detyrojë atë të marrë të njejtin pozicion me kundërshtarin e tij politik. Kjo do të ishte një fitore e madhe politike për Ilir Metën pasi shumë vota të majta do të kanalizoheshin drejt partisë së tij.  

Së dyti, çfarë fiton Ilir Meta nëse referendumi nuk zhvillohet? Kryetari i LSI-së është i bindur se edhe në rast të zhvillimit të referendumit, ajo do të jetë një sprovë e humbur pasi është e sigurt se elektorati i dy partive kryesore në vend tejkalon numrin e referendarëve. Nga kjo pikëpamje, Ilir Metës i intereson më shumë që referendumi të mos zhvillohet, ndërsa ai të ketë mundësi ta instrumentalizojë këtë kauzë për të akuzuar dy partitë e mëdha si parti që janë kundër interesit publik dhe që bëjnë ujdi për interesa të ngushta private të lidershipit të këtyre partive.

 Mungesa e referendumit e trajtuar nga Meta si formë e represionit të partive të mëdha do të rriste  gamën e çështjeve për të cilat partitë e mëdha shfaqin mosbesim në sytë e opinionit publik  Nga kjo analizë rezulton se Ilir Meta del i fituar nga kjo nismë si në rast të një përgjigje pozitive ashtu edhe në rast të një përgjigje negative. Kot nuk thonë se çdo e keqe mbart një të mirë nga prapa. Të vetmit të humbur në këtë mesele janë kinse përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët të manipuluar nga kryetari i LSI-së, do të detyrohen të marrin një pozicion politik.