Të dalësh jashtë frymës së sistemit
komente 12 Qershor 2008Mentor Beqa
Përplasja mes maxhorancës dhe presidentit Bamir Topi ka kulmuar me daljen hapur të shumicës kundër dekreteve të Topit për pesë anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, ndërsa debati mbi këtë çështje ka marrë udhën e interpretimeve konspirative ose është teknikalizuar në procedura dhe gërmën e Kushtetutës duke dalë kështu jashtë substancës së këtij ngërçi institucional që ka të bëjë me kompetencat e Parlamentit dhe të Presidentit të Republikës. Presidenti ka bërë një përzgjedhje të njëanshme të disa emrave që do të jenë anëtarë të një institucioni të hierarkisë së lartë në sistemin gjyqësor, paçka se Kushtetuta dhe interpretimet që rrjedhin prej saj i kërkojnë një negocim paraprak për të arritur tek emrat konkret. Kushtetuta i ka dhënë një rol të rëndësishëm Parlamentit në miratimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sepse vetë sistemi e kërkon një gjë të tillë. Nëse anëtarët apo drejtuesit e të gjitha institucioneve Kushtetuese do të emëroheshin nga Presidenti me pëlqim formal të Parlamentit, atëherë sistemi do të merrte një formë arbitrare. Presidenti i Republikës është një institucion monokratik dhe ka rolin e ekuilibruesit të sistemit, ndërsa Parlamenti është pika gravitacionale e sistemit ku formalizohet sovraniteti i popullit dhe nga ku buron legjitimiteti i institucioneve. Presidenti i Republikës ka fyer parlamentin duke e anashkaluar në një proces ku sipas Kushtetutës dhe interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese është po aq aktor sa edhe presidenti. Presidenti në këtë rast ka stisur një përplasje klasike institucionale, me idenë e rrjedhjes së debatit në atë që diskutohet sot: Sali Berisha kërkon të marrë në dorë institucionet e pavarura, ndërsa Bamir Topi po përpiqet t’i mbrojë ato. Ky konstatim do të ishte i vërtetë nëse Bamir Topi do të kishte konsumuar hapin e parë që tradita e do që Presidenti të kishte ndërmarrë në një proces të tillë; konsultimin paraprak me aktorët politik. Këtë e ka bërë edhe vetë Alfred Moisiu në raste të tilla, ndërsa Bamir Topi ka lëshuar një firmë shpejt e shpejt mbi pesë dekrete pa marrë përsipër koston e një veprimi të tillë. Kjo natyrshëm që do t’i kthehet në bumerang vetë Presidentit Topi, pasi ai ka udhëhequr një proces të njëanshëm dhe jotransparent. Nëse Presidenti i Republikës do të ishte konsultuar me aktorët politik dhe atij do t’i ishin imponuar emra të caktuar që nuk do të ishin të përshtatshëm për Gjykatën e Lartë, atëherë ai do të ishte në të drejtën e tij për ta shitur veten si mburojë të institucioneve të pavarura nga orekset politike. Presidenti në këtë rast ka bërë një veprim të nxituar dhe emocional duke anashkaluar kreun e maxhorancës politike dhe kreun e opozitës, të cilët kanë numrat në parlament për të vendosur mbi dekretet e Presidentit. Opozita ka dalë në mbrojtje të Presidentit në këtë rast (më shumë sepse dekretet janë kundërshtuar nga mazhoranca) por do të ishte interesante të shihnim se si do të reagonte opozita, nëse këto dekrete do të ishin mbështetur nga mazhoranca. Opozita do ta shndërronte në kauzë politike duke ulëritur se Sali Berisha po përlan të gjitha institucionet e pavarura dhe se Presidenti i Republikës është shndërruar në vegël të mazhorancës, për të marrë në dorë kontrollin e të gjitha institucioneve. Opozita duket qartë se nuk shqetësohet shumë për sistemin dhe procedurën, por nëse emrat janë pro apo kundër Sali Berishës. Pikërisht këtu ka gabur edhe Bamir Topi. Presidenti i Republikës nuk udhëhiqet në punën e tij nga inate e hakmarrje as nga tendenca faktorizimi politik, kur ka marrë përsipër të mbartë një funksion mbipolitik.