Humbja mund të jetë më e madhe se fitorja
komente 16 Qershor 2008Mentor Beqa
Presidenti Bamir Topi në dukje ka rrëmbyer një sukses në raport me maxhorancën që e bëri President, duke detyruar këtë të fundit të kalojë në proces votimi pesë emrat që dekretoi vetë pa u konsultuar me asnjë faktor tjetër politik. Sjellja prepotente e presidentit të Republikës në procesin e përzgjedhjes dhe dekretimit të pesë emrave për Gjykatën e Lartë nuk është pasuar me të njejtën sjellje politike nga ana e mazhorancës, e cila i është përgjigjur me “fair play”, duke respektuar procedurën e përcaktuar, paçka se Presidenti ishte ai që e shpërfilli këtë procedurë që në krye të herës. Presidenti nuk ka preferuar të japë shpjegime publike për këtë veprim jokushtetues, duke bërë një lojë nën rrogoz, për të lënë të kuptohet se mazhoranca është e detyruar të konsultohet me të për nismat ligjore që ajo ndërmerr dhe në rastin konkret ndryshimet kushtetuese që prekën dhe modalitetin e zgjedhjes së presidentit.
Përpos faktit se me këtë përzgjedhje emrash Presidenti vendos nën komandën e tij Gjykatën e Lartë, me këtë veprim ai ka dashur të përcjellë edhe një mesazh se dobësimi i institucionit të Presidentit nga ndryshimet kushtetuese nuk e prek atë drejtëpërdrejt dhe nuk mund ta “dorëzojë” përballë presioneve të partive politike. Për të realizuar këtë, Bamir Topi duket i impostuar si mos më keq, pasi ka gjetur një moment të papërshtatshëm për të dhënë një mesazh politik. Ai ka pranuar të kryejë një shkelje kushtetuese dhe të thyejë një traditë politike vetëm për t’i treguar mazhorancës se ai nuk mund të anashkalohet dhe është faktor me të cilin duhen të konsultohen përpara se të marrin vendime të rëndësishme politike. Ata që njohin marrëdhëniet e Partisë Demokratike me Bamir Topin e kanë fare të lehtë të kuptojnë se kjo lojë e Presidentit të Republikës nuk ka të bëjë me ndonjë merak të veçantë për institucionet e pavarura, por për copëzat që duhet të zotërohen në pushtet, madje edhe brenda Partisë Demokratrike.
Bamir Topi megjithëse u zgjodh President i Republikës nuk ka arritur të distancohet nga loja e përditshme politike duke mbetur peng i postit të mëparshëm që ka pasur në Partinë Demokratike dhe aspiratave të fshehura që një ditë të jetë ai kreu i kësaj partie. Kjo është një ambicie krejt legjitime dhe një mundësi reale, por Bamir Topi ka gjasa të bëhet kryetar i kësaj Partie vetëm duke qenë funksionar i kësaj partie, jo president i vendit. Bamir Topi gabon nëse përdor postin e presidentit për të shkuar drejt postit të kryetarit të Partisë Demokratike. Paçka se kjo ambicie duket e largët, nga pikpamja parimore, përdorimi i presidencës për të forcuar pozitën politike brenda një partie të caktuar është një veprim i pamoralshëm dhe kthen në skenë një rrezik konstant për institucionet shqiptare; personalizimin e tyre.
Nga pikapamja pragmatiste, ky veprim i Bamir Topit, është një aksion politik i pazgjuar dhe i pamenduar mirë. Krijimi i përplasjeve të tilla, që pavarësisht mënyrës se si serviren nga media, janë gabime të presidentit, do të krijojë një armiqësi të heshtur mes Presidentit dhe Partisë Demokratike. Kjo do të çonte në një ndarje përfundimtare të Bamir Topit me partinë që e bëri president duke shterruar shpresat e tij për një rikthim të mundshëm në krye të PD-së. Si përfundim, ky konflikt i stisuar nga ana e Presidentit Bamir Topi, përpos se është një gafë proceduriale nga ana e tij, mbart me vete edhe rrezikun e një bumerangu ndaj vetë presidentit. Ndaj karikimi publik për një fitore të rrëmbyer ndaj maxhorancës nuk duhet të jetë kaq emocionuese, pasi humbja reale mund të jetë më e madhe se fitorja e stisur.