Krim pa ndëshkim
komente 3 Korrik 2008Mentor Beqa
Dëshmia më e mirë se elita politike dhe mediatike në të shumtën e saj është zgjatim i elitës kriminale komuniste tregohet nga fakti se sa herë shtrohet për diskutim hapja e dosjeve të ish spiunëve dhe zyrtarëve të inkriminuar të sistemit komunistë, na del në skenë një pretekst se gjoja ky debat hapet për të fshehur diçka të madhe që na paska ngjarë.
Disa e inskenojnë këtë soj debati, disa e besojnë me të vërtetë, e në këtë formë dosjet e spiunëve nuk hapen asnjëherë, ndërsa zyrtarët e lartë të sistemit komunistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vazhdojnë të mbeten në hierarkinë më të lartë të shtetit shqiptar. Një ndër arsyet se përse një dukuri e tillë vazhdon të ndodhë në Shqipëri, lidhet edhe me faktin se kemi kaluar 5 dekada nën rregjimin më të ashpër të Europës komuniste.
Nëse do të hedhim një sy në zhvillimet post-komuniste të vendeve të europës lindore, do të na shfaqet një pasqyrë ilustruese për këtë argument. Polonia, Çekia dhe Hungaria kanë ecur me hapa shumë më të shpejtë në dënimin e krimeve të komunizmit, sesa Rumania, Bullgari dhe në fund Shqipëria, e cila nuk ka bërë asgjë në dënimin e këtyre krimeve, madje ka pasur riciklim të figurave kriminale të sistemit komunist. Institutet e ngritura posaçërisht për krimet e komunizmit në tri vendet e para kanë një peshë specifike në shoqëritë përkatëse. Instituti për Dokumentimin dhe Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Çeki ka detyruar madje të hapen edhe procese penale ndaj ish zyrtarëve komunistë, të cilët kanë kryer krime jashtë kuadrit ligjor të asaj kohe. Zyrtar të lartë të këtij rregjimi janë dënuar me burgim dhe në këtë listë të dënuarish përfshihen edhe ish ministra të brendshëm, udhëheqës të Partisë Komuniste dhe drejtues të shërbimit sekret.
Në vendet ku sistemi komunist ka qenë më i ashpër dhe normalisht reagimi duhet të kishte qenë poaq i ashpër, ka ndodhur e kundërta. Komisioni për verifikimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Bullgari i ka hapur dosjet e spiunëve dhe syrtarëve të këtij shërbimi dhe ka rezultuar se shumica e elitës politike ka qenë e përfshirë në këtë shërbim, mirëpo nuk është marrë asnjë masë për të ndaluar veprimtarinë e tyre politike apo emërimin në institucione të larta të shtetit bullgar. Rumania ndodhet edhe më pas në këtë proces, ndërsa për tre vjet rradhazi është marrë më studimin e dosjeve të spiunëve të Securitates, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim që bllokon publikimin e tyre duke detyruar Zyrën që merret me këtë hetim të shkojë në prag të shpërbërjes.
Shqipëria është një histori edhe më e zymtë. Ka pasur vetëm një përpjekje për të ndaluar depërtimin në institucionet e larta shtetërore të zyrtarëve të sistemit komunist dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit me anë të ligjit të miratuar në vitin 1995, ndërsa më pas ky ligj ka degraduar vetëm tek bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit e më pas humbi plotësisht fuqinë vepruese. Shqipëria është një rast interesant pasi është ndër të paktat vende të Luindjes Komuniste, ku nuk ka një pareti të fortë komuniste. Kjo jo për faktin se shqiptarët janë distancuar nga komunizmi. Jo për faktin se nuk ekziston ende trupa politike e komunistëve shqiptarë, por sepse elita komuniste preferoi që në fillim të viteve 90’ të shpërndahej tek partitë e tjera politike, kryesisht tek Partia Socialiste dhe në këtë formë brenda pak viteve kauza antikomuniste filloi të delegjitimohej. Shumëkush artikulon teza se shqiptarët janë indiferent ndaj dënimit të krimeve të komunizmit dhe hapjes së dosjeve të ish sigurimsave, por kjo është po aq e vërtetë sa edhe fakti se komunistët nuk kanë kryer krime mbi të pafajshmit. Kjo tezë është një prodhim virtual nga elita politike dhe mediatike që janë një zgjatim i elitës së mëparshme komuniste. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk është asnjëherë një çështje e mërzitshme dhe e panevojshme, ajo që duhet parë mirë janë modalitetet që do të përdoren për të dënuar krimet e komunizmit. Hapja vetëm e dosjeve të ish spiunëve, të cilët disa janë bërë me dashje e disa me detyrim, është një vrimë në ujë në atë megakrim që ka bërë sistemi komunist. Kësaj i thonë të dënosh ekzekutorin dhe të falësh organizatorin. Ky proces i vonuar duhet të nisë më ngritjen e një Instituti të posaçëm që do të dokumentojë krimet e komunizmit, përgjegjësit për këto krime, zyrtarët e lartë të sistemit komunistë që kanë masakruar njerëz të pafajshëm, zyrtarët që kanë mbajtur në këmbë atë sistem që nga byrotë politike, komitetet qëndrore, hetuesit, gjyqtarët, zyrtarët e ministrisë së brendshme, drejtuesit e Sigurimit të Shtetit e në fund bashkëpunëtorët e këtij institucioni kriminal. Duhet një strategji e qartë për të fshirë nga libri i ri që ka hapur Shqipëria, njollat e trashëguara nga ai sistem në histori, arsim, shkenca e gjithkund tjetër. Është me të vërtetë një proces i vështirë, pasi thuajse gjysma e deputetëve të parlamentit kanë një të shkuar jo të mirë në sistemin komunist, por është një nevojë e paanashkalueshme. Shoqëria shqiptare nuk mund të jetojë me hijen e një të shkuare kriminale të pandëshkuar.