Mentor Beqa

“Jam N.N. Më kanë pru kot, krejt kot. Me emnin tim gjindet dhe nji tjetër burrë në Mirditë, por ai asht i arratisun në mal dhe flitet se ka vra x oficer partizan. Mbasi kemi të njajtin emen më kanë kapë mue për të. Kas ma shumë se dy javë që jam këtu nën tokë. Puna asht se na kena të njajtin emën, por nuk jemi në të njatin katund. Ndërsa këta thonë se “të gjithë mirditorët thirren me tre emna, e kështu mendoni ju se do të na e hidhni neve.” U ula aty nmë batanijen që kishte. Më tha se ishte i mbushun me morra. Kapanxha hapej vetëm nji herë në ditë për të dhanë racionin e bukës e shpesh nji tas ujë. Për nevojë i kishin thanë: “bëje aty”. Më tha se aty ishte nji gomë makine dhe se ulej aty mbi të. Më pyeti se çditë ishte, mbasi ai aty tue mos pa kurrë dritë me sy, nuk përcaktonte se kur mbaron nji ditë e kur fillon nji tjetër. Më tha se ishte arrestue në muejin gusht, se kishte kalue atje nalt tre muej torturash ma të tmerrshmet. Më kallxoi se mbasi e kishin torturue për shumë ditë tue i lidhë korentin ndër veshë, atëherë ai hetuesi ia kishte lidhë telat edhe në organet e poshtme të trupit. E kur me të sjellun të manovelës, ai kishte provue ato therje të cuditshme që e bajshin me u hjedhë përpjetë e me u përplasë përtokë, ai kishte çue duert nalt për me folë dhe u kithte thanë: “Or burra, tash sa dit’ që kta tela mi keni ba provë në krye. Po si mendoni ju, se kur nuk din gja kryet po din gja b…?

Është vetëm një fragment i amanetit të at Zef Pllumit “Rrno vetëm me tregue” që tingëllon si këmbanë në memorien e fshirë të shoqërisë shqiptare. Rregjimi çnjerëzor i arkitektit Enver Hoxha mbahej në këmbë nga një makineri vrasësish të pashpirtë si agjentët e Sigurimit të Shtetit, Hetuesia dhe Gjykatat politike. Këto ishin instrumentat e atij rregjimi, që me torturat e tyre të nxjerra nga ferri, u shtinë në palcë frikën qytetarëve të këtij vendi të nënshtruar. Enver Hoxha me bandën e tij s’do mund ta kishte të gjatë mbijetesën, nëse këto hetues “që s’mujn me qanë bij nanash”, nuk do të kishin ushtruar terror të përditshëm mbi ata që goxonin të ngrinin krye, e shpesh herë edhe mbi ata që aksidentalisht ishin përplasur në dyert e hetuesisë. Pakkush kujtohet me hedh një sy prapa për të parë se çfarë shkretine kanë krijuar këta soj njerëzish, që për fat të keq shumë prej tyre ndodhen ende në krye të institucioneve shqiptare e ata që e ndjejnë veten të përjashtuar përpiqen me mish e me shpirt të bëhen sërish pjesë e tyre.

Nukse mund të kuptohet ndryshe deklarata e “Grupit të Ekspertëve” pranë presidencës se kriteri i propozuar nga Partia Demokratike që:  kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë të mos kenë kryer gjykime politike në karrierën e tyre, na qenka i papranueshëm. Këta zotërinj me kostumin e ekspertëve juridikë marrin guximin të na legjitimojnë këtë makineri të tërë gjyqtarësh e hetuesish që me bëmat e tyre mbajtën në këmbë rregjimin komunist, pa na shpjeguar asfare se me çfarë motivacioni na u dashka ricikluar kjo tufë deledashësh. Ekspertët e mbledhur pranë Presidentit nuk kanë as tagrin moral e as atë profesional për t’i treguar shoqërisë shqiptare se me çfarë mushkërie duhet të marr ajër. Beteja e tyre ka përfunduar në 1990-ën, kur mijëra shqiptarë vendosën të ndahen me dekadat më të zeza të historisë së tyre, e bashkë me të, edhe me me këta vendim-marrës që lanë pas mijëra viktima të pafajshme. A mund të pranohet sot në vitin 2008 që anëtar i Gjykatës së Lartë të jetë autori i masakrave që përshkruan më sipër At Zef Pllumi (e në mos qoftë ai, sivëllai i tij, që ka bërë të njetat gjëra)? Me çfarë guximi mund të mbrosh këto soj njerëzish, përpos rastit kur je vetë pjesë e tyre. E ekspertët e mbledhur për të vënë pikën mbi (i) janë, në mos të gjithë, shumica prej tyre, nga gjiri i familjes së Enver Hoxhës, e pjesa e mbetur ish gjyqtarë të Enver Hoxhës.

Shoqëria shqiptare nuk ishte revanshiste, e pranoi fatkeqësinë komuniste duke parë me guxim e krenari përpara, duke shmangur hakmarrjen për hir të së ardhmes. Viktimat e komunizmit nuk e panë krimin tek autorët e krimit, por tek sistemi si nocion abstrakt. Ky është luajaliteti që duhet admiruar. Ndërsa persekutorët si dhelprat ndën ferra kërkojnë ende privilegjet e dikurshme. Ata dhe shërbëtorët e tyre nuk duan e nuk munden të distancohen nga e shkuara. Krimi të mban nën hyqmin e vet se jeta.Ndaj Presidenti i Republikës ka kohën e mundësinë, qoftë edhe në respekt të historisë së familjes së tij, të mos bjerë preh e shantazheve të zgjatimeve të sistemit komunist, për të dekretuar për anëtar të Gjykatës së Lartë, ata që mbartin mëkate të mëdha në shpirtin  e tyre. Presidenti nuk mund të bëjë kurrë një Gjykatë të pavarur nëse aty vendosen njerëz që kanë varësi nga krimi. Ai ka tagrin e tij eskluziv për të zgjedhur njerëzit që do të ruajnë ekuilibrin e gjyqësorit, por kjo nuk do të thotë se gardianët e kësaj pavarësie duhet të jenë gardianët e komunizmit. Shoqëria shqiptare ka prodhuar juristë e gjyqtarë të talentuar në 17 vite pluralizëm. Atyre nuk u mungojnë as kriteret profesionale e as ato morale. Hapësira për të zgjedhur është e madhe, ajo që duhet provuar është vullneti i Presidentit për të shqelmuar një herë e mirë lidhjen e gjyqësorit të sotëm me të djeshmen e tij kriminale.