Arbitrariteti nuk mund të jetë instrument i drejtësisë
komente 23 Korrik 2008Mentor Beqa
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama është shprehur se gjatë mandatit të saj do të ushtrojë presion pozitiv mbi prokurorët të jenë shumë të kujdesshëm në procedime dhe të shmangin sa më shumë arbirtraritetin në ushtrimin e profesionit duke shmangur mbajtjen në qeli të të pafajshmëve qoftë edhe për 24 orë. Ky qëndrim është pasuar nga një reagim konkret i Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili kallëzoi penalisht rastin e mbajtjes 17 muaj rrjesht të një qytetari në burg pa i bërë procesi gjyqësor. Shumëkush mund të mendojë se në vorbullën e problematikës që ka prokuroria shqiptare, ky është një problem periferik dhe që nuk meriton një vemendje të veçantë. Kryeprokurorja Ina Rama përgjatë periudhës së shkurtër të ushtrimit të mandatit duket se ka arritur të kapë një prej problemeve më të mëdha, nga i cili vuan prokuroria shqiptare dhe në përgjithësi institucionet e zbatimit të ligjit. Kjo është plaga e vërtetë e institucioneve të zbatimit të ligjit, të cilat me anë të ushtrimit arbitrar të detyrës, në vend se të jenë garant i lirive të qytetarëve, shndërrohen në kërcënim serioz për liritë e tyre. Rastet e fatkeqëve që ilustrojnë këtë argument, se liritë dhe të drejtat e tyre janë kërcënuar për shkak të veprimtarisë joligjore të policisë së shtetit apo dhe prokurorisë, janë aq shumë sa edhe vetë rastet e zbatimit korrekt të ligjit nga ana e këtyre institucioneve. Një zyrtar i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës është detyruar të shkojë për kurim psiqik në Itali, pasi policia dhe prokuroria i kanë nxjerrë emrin “gjenerali i zi i pronave”, ndërsa vetëm tre ditë më pas i tërhoqën me turp akuzat në sallën e gjyqit si të pakujdesshme dhe të pabazuara në ligj. Rastet e zyrtarëve që penalizohen padrejtësisht dhe vërdallisen në dyert e institucioneve për të nxjerrë në shesh të drejtën e tyre janë të pafundme. E thënë shqiptarçe, ata duhet “të paraqesin forcën” para agjensive të zbatimit të ligjit dhe aty nukse ka rëndësi gjithëherë drejtësia. Dhe rastet mund të listohen pafund që nga dënimet e tmerrshme të një të depresionuari që konsumon hashash dhe lirimi me dënime qesharake i bosëve të krimit. Ina Rama ka të drejtë kur thotë se duhet të shmanget arbitrariteti dhe të vihen në qendër të vëmendjes liritë dhe të drejtat e qytetarit. Kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Askush, asnjë institucion nuk ka të drejtë të privojë nga e drejta e tij një qytetar, aq më shumë prokuroria, e cila me përgjegjshmëri duhet të provojë me prova fajësinë ose jo të një qytetari, pa qenë e nevojshme që çdo çështje edhe arbitrarisht të shkojë në gjykatë. Jo pak informacion qarkullon se prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore terrorizojnë qytetarë, të cilët fati i ka përplasur në dyert e tyre, duke i kërcënuar me citime ligjesh e paragrafesh, që ata nuk i kanë dëgjuar asnjëherë në jetë, vetëm e vetëm, që të krijojnë terrenin për të marrë para në dorë. Kjo është metoda më e përhapur për të detyruar një të trembur që të paguajë. Ata e shantazhojnë, e mbajnë në presion duke e kërcënuar, pavarësisht faktit se ai nuk mund të ketë bërë asnjë shkelje ligjore derisa ai paguan, dhe prokurori apo zyrtari tjetër i zbatimit të ligjit, ndryshon fytyrë, sjellje, bën njeriun e mirë e të predispozuar dhe fillon e citon nene e paragrafe të tjerë pafund që mund të bëjnë që qytetari pagator të çlirohet nga akuzat dhe të mos vërdalloset kot gjyq më gjyq, se atje natyrshëm pazari do të jetë më i lartë. Skena të tilla janë të pafundme në përditshmërinë shqiptare, poaq sa edhe skenat e kundërta me të. Vrasës të poshtër që jetojnë si vemje në trupin e shoqërisë shqiptare shpëtojnë nga po kjo lloj sjellje e zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Ata paguajnë në fillim dhe prokurororët nuk kanë nevojë të lexojnë dengun e parë të neneve shtrëngues, por hapin menjëherë qitapin e neneve lehtësues. E kështu të gjithë paguajnë, ndërsa ata që konsumojnë krime më të vogla, vuajnë dënime më të mëdha se ata që kryejnë krime monstruoze. Ata të ngratë që mund të bëheshin qytetarë të denjë, pasi bien në darat e ligjzbatuesve, dalin monstra, ndërsa ata që janë monstra bredhin përkrah ligjzbatuesve me kravata. Kjo është historia dhe Ina Ramës s’kishte si të mos i bënte përshtypje. Natyrisht që vullneti vetëm i Kryeprokurores është i pamjaftueshëm për të prerë zgjatimin e këtij fenomeni të poshtër, por ai të paktën është altari premtues në hapësirën e zbrazët të zbatimit të ligjit. Ndjeshmëria femërore e kryeprokurores duhet të shoqërohet me veprime kurajoze të penalizimit të të gjithë atyre zyrtarëve ligjzbatues që për interesa private, privojnë qytetarët nga ushtrimi i lirive të tyre.