Mentor Beqa

 Historia e zgjatur e ndryshimeve në kabinetin qeveritar ka arritur në kulmin e saj me ndryshimet që duken shumë pranë zyrtarizimit. Lëvizja e kryeministrit Sali Berisha me emrat e propozuar për të lënë postet e tyre ministore ishte sa e paprituar aq edhe korrektuese përsa i përket një qeverie, e cila pregatitet të hyjë në vitin e fundit të mandatit të saj. Ndryshimet e njoftuara, megjithëse në dukje janë të paplota do të krijojnë kushtet për një vitalizim më të madh të qeverisjes së Partisë Demokratike, veçanërisht në vitin e pritshëm elektoral. Lëvizja e ministrit të arsimit Genc Pollo nga ministria e arsimit, ngjan më shumë me një shkarkim me ngjitje nga pikëpamja e hierarkisë institucionale, por me shmangien e tij nga vendimmarrja e drejtëpërdrejtë. Kryeministri Berisha ka bërë një lëvizje korrekte politike në një nga sektorët më prioritarë të qeverisjes, duke mbrojtur nga pikëpamja e perceptimit publik, imazhin e reformave që ka kryer qeveria e tij në sistemin arsimor, pa e nxjerrë jashtë qeverisë Genc Pollon, por duke kuptuar se në prag të vitit të ri arsimor ky sektor kërkonte një rivitalizim tjetër, për të krijuar një terren bashkëpunimi me botën akademike dhe strukturat universitare.  Genc Pollo megjithëse në dukje u përpoq të fuste elementë të rinj në reformën e arsimit të lartë, ai arriti me sukses të krijojë armiqësinë më të madhe që një Ministër Arsimi ka pasur me botën akademike dhe me universitetet shqiptare. Reforma në arsimin e lartë veçanërisht dy vitet e fundit degradoi në një ligj që bie ndesh me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe në pazare të ulta për përfitime individuale. Ministria e Arsimit më shumë se e tillë ngjasonte me selinë e Partisë Demokrate të Re, ku të gjitha strukturat e saj burokratike ishin pushtuar nga anëtarët e partisë së Genc Pollos, ndërsa të gjithë profesionistët me kontribute në arsimin e lartë endeshin në ankim e sipër për të gjetur një vend pune. Tashmë Ministria e Arsimit duhet të hapet përkundrejt kualiteteve profesionalë dhe reforma e liberalizmit të arsimit të lartë të shtrihet në shinat e saj natyrale. Genc Pollo sërish duhet të ndjehet i vlerësuar në rolin e mentorit të Kryeministrit, paçka se i duhet të fshijë nga kujtesa këtë trevjeçar kontraversial në krye të Ministrisë së Arsimit. Përkundër karakterit konfliktual të ish ministrit Pollo, ministri i mundshëm Fatos Beja, ka një profil të konsoliduar politik, me një ngjitje natyrale në hierarkinë politike, dhe me një veçori që bie në sy brenda Partisë Demokratike. Natyra e tij konsensuale dhe e shtruar do të krijojë gjasat për të zbutur marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me botën akademike dhe strukturat drejtuese të universiteteve shqiptare, një parakusht i domosdoshëm për mbarëvajtjen e reformave në sistemin e arsimit shqiptar. Edhe nga pikëpamja politike, Partia Demokratike ka marrë me vonesë një sektor të madh edhe punësimi, çka do të çonte në zbutjen e kërkesave të anëtarëve të PD-së për vende pune në prag të zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa lëvizja e Nard Ndokës nga ministria e Shëndetësisë jdukej krejt e natyrshme pasi vetë pozicioni i zotit Ndoka në atë ministri ishte i panatyrshëm. Zoti Ndoka mori postin e ministrit të Shëndetësisë duke i treguar muskujt maxhorancës dhe po del nga ajo ministri, duke parë muskujt e maxhorancës. Krijimi i një grupimi të ri kuvendar me deputetë që me shumë gjasa do të mbështesin qeverinë, e zhvlerësoi thuajse plotësisht numrin e deputetëve të Nard Ndokës, duke e çliruar kryeministrin Berisha nga shantazhi i vazhdueshëm i mungesës së kartonave në parlament. Përpos kësaj, Nard Ndoka ka bërë një menaxhim skandaloz të sistemit shëndetësor, duke e çuar atë drejtë një kolapsi të vërtetë, me mungesë të medikamenteve, me rritje të shfrenuar të korrupsionit, me tendera të dyshimtë dhe me monopolizim të tregut farmaceutikë nga njerëz afër Ndokës. Ky ndryshim dukej imediat edhe për shkak të përplasjeve të mëdha që stafi politik i Ministrisë së Shëndetësisë krijoi me stafin teknik, një ndër të cilat është edhe ministrja e ardhshme e shëndetësisë. Gjithsesi, riformatimi i qeverisë me vetëm këto dy lëvizje duket i mangët, për shkak të mungesës në qeveri të ministrave me artikulim të lartë politik. Në vitin e fundit të mandatit, qeveria më shumë se për bilance reale, ka nevojë për njerëz që do të dinë ta tregojnë publikisht bilancin. Gjithashtu, qeverisë i duhet një komunikim shumë më i natyrshëm me Partinë nga e cila ka dalë, për të krijuar mundësitë e maksimizimit të rezultatit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.