Legjitimiteti i dubluar si justifikim për mungesën e efiçencës
komente 31 Korrik 2008Mentor Beqa
Shumica e titullarëve të institucioneve të pavarura në vend, të cilët nuk shquhen për ndonjë efiçencë të veçantë në krye të këtyre institucioneve mbështjellin veten me vellon e mbështetjes së amerikanëve dhe europianëve sa herë që presioni publik fillon dhe afrohet tek karrigja e tyre. Tentativa më shumë se dy-vjeçare e kryeministrit Sali Berisha për të shkarkuar ish kryeprokurorin Theodhori Sollaku, të akuzuar për mungesë efiçence në luftën kundër krimit, u mitizua si një veprim i Sali Berishës i pamiratuar nga ndërkombëtarët. I njejti thashethem ka filluar të qarkullojë ndër të ashtuquajturën elitë të opinionbërësve përsa i përket kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, emrin e të cilit mu desh shumë mundim për të risjellë në kujtesë. Ky i fundit vazhdon të qëndrojë i qetë në krye të këtij institucioni, megjithëse siguria kombëtare u kërcënua ditën me diell, pak kilometër larg selisë së tij. Shumëkush thotë se Sali Berisha dhe Bamir Topi e kanë të pamundur ta shkarkojnë këtë njeri sepse ai është i amerikanëve. Më shumë se e vërtetë kjo ngjan me një lojë banale që bëjnë njerëz të paaftë për të ruajtur privilegjet e pamerituara. Nukse mund të thuhet me siguri, nëse ky dublim i legjitimitetit të institucioneve shqiptare është realisht i tillë, vjen për shkak të një procedure të ndërlikuar për emërim-shkarkimet e këtyre titullarëve, apo është një perecetim infantil, aq i dëshiruar ndër kafepirësit qytetas. Por një gjë është e sigurt. Amerikanëve dhe europianëve nuk u intereson as Bahri Shaqiri, as Thoedhori Sollaku, e as Ina Rama. Atyre u interesojnë së pari institucione që veprojnë në përputhje me kornizën ligjore dhe së dyti efiçencë në punën që ata kryejnë. Ndërkombëtarët nuk njohin emra të përveçëm, por institucione të përvveçme, dhe ky është parimi bazë i punës së tyre diplomatike, përndryshe dublimi i legjitimitetit të institucioneve të vendeve ku veprojnë do të çontë në dyzimin e sovranitetit të këtyre vendeve, çka ndërkombëtarët ruhen mirë të mos e bëjnë. Fshehja e mungesës së efiçencës së shumë titullarëve nëpërmjet shitjes lirë të mbështetjes së ndërkombëtarëve ngjan me ato barcoletat për fëmijë se kush e ka babain më të fortë. Protektori i vetëm për titullarët e institucioneve duhet të jetë puna e tyre përgjatë drejtimit të këtyre institucioneve, as biografia, as prejardhja, as mbështetja e stimuluar e kujtëdoqoftë. Është bërë traditë tashmë të thuhet se filani që drejton këtë institucion është i Bamir Topit, filani është i Sali Berishës, filani është i amerikanëve etc, por kjo traditë e poshtër duhet rrëzuar, në të mirë të këtyre personazheve, në të mirë të këtyre titullarëve, në të mirë të institucioneve që ata drejtojnë dhe në të mirë të sovranit që janë qytetarët shqiptar. Kjo arrihet vetëm duke vendosur njerëz me personalitet që e kanë për bjerrje të ndërgjegjes nëse Bamir Topi apo Sali Berisha u dublon personalitetin e tyre. Duhen njerëz me integritet që arrijnë të marrin vendime pa hyrë në zyrat e Presidencës, Kryeministrisë apo ambasadave. Shqiptarëve nuk u intereson nëse shefi i SHISH-it i ka mirë punët me amerikanët apo jo, kjo do të ishte një gjë plus, por substanca e vlerësimit të tij mbetet kurdoherë efiçenca që dëshmon në punën e tij.